Prend Buzhala – Poezi, “Dashuria nuk kërkon asnjëherë borxhe”
Prend Buzhala – Laureat i çmimit “Beqir Musliu 2022”
Pastrimi i Thellë i fytyrës + Maska LED Tearapi – Meri Aesthetics – Afër Postës së Vogël – Gjilan
DASHURIA NUK KËRKON ASNJËHERË BORXHE
( Kkrijime poetike nga laureati i sivjem i Çmimit letrar “Beqir Musliu”, ceremonia e dhënies së të cilit do të bëhet më 26 nëntor 2022, ora 12:00, në Bibliotekën e Re të Qytetit në Gjilan )
SHKËLQIMI QË MË PËRCJELL NË GJUMË E ËNDËRR
1.
Ja, përpara e keni një urnë që mban hirin e dëshirave të zjarrta.
Dëshira ka vdekur, është shndërruar në kufomë të ftohtë.
Mbetesh i djegur gjakimesh, dëshire fisnike a dëshire të fundit.
Po mbetën flaka dhe hiri. Si hiri vullkanik a hiri mbulues i hënës.
Si hiri që mbulon zjarrin e ai vetëm digjet e digjet.
Si hiri i kufomave që ruhet në një urnë, Kujtim i Të Parëve.
2.
E sheh, ai shkëlqim na përcjell në gjumë, në ëndrra, në secilin hap të jetës.
Edhe kur nuk jemi më në këtë botë, ajo flakë mbetet e zgjuar.
Çmos bën të mos shuhet. Nuk lë gjë pa bërë së paku të mbetet hi.
E ç’nuk bën të shndërrohet në një Shkronjë Dëshmie, në Pergamenë.
E, pikërisht në këso rastesh Ti e gjen atë pjesë të vetes që të mungon.
Ajo rrjetë teksti e pergamene të ka zënë, kur je i humbur në këtë botë.
(18 shkurt 2014)
Agjenda e aktiviteteve të Komunës së Gjilanit për shënimin e festës së 28 Nëntorit.
NËPËR SHI LULESH
1.
E nis bërjen e një rrethi në drejtim timin, në një truall gjuhësh të vdekura.
E kur e bën, atëherë takohemi, themi fjalë të panjohura, që askush s’i merr vesh.
Rrethi mbyllet, gjithçka sillet e sillet pambarimisht. Si rrethi i fatit.
Gjithçka u mbyll aty: nisën rrëfime për gjërat brenda e jashtë.
Rrëfime të brendashkruara e të jashtëshkruara, si kallëzimet me rrathë guri.
Si përrallat që i thurëm për kullën tonë prej ajri, që fluturon nëpër erë.
2.
Dikur thurëm shenja të tjera kohe. Rrathët bëhen rreze.
Nuk kishte më kohë moshe, agimi a muzgu. Po vetëm një hapësirë pa kufij.
Një vrapim nëpër ujë a nëpër ajër, nëpër të reshura bore a shi lulesh.
Një kërcim nëpër maja malesh. Nëpër fusha me kopshte a nëpër ujëra.
S’ka orar për zgjim nga ëndrra a gjumi. Ato marrin pamje të vërtetë.
Krejt ato i bën dhurata dashurie e dëshirash të bukura.
Sa herë të del gjumi, a vjen në vete, mu në ato çaste lind dielli.
Të gjithë zgjohen, kur ti ngrihesh, me diellin që shkrep rrezen më të bukur.
S’kishte më errësirë për askënd, por vetëm dritë, dritë, dritë.
(20 shkurt 2014)
TË FSHEHTAT SI GURI MBI GUR I RUAN
1.
Kah ia ke mësyrë, ti Mësues i Vjetër,
me pallton e grisur, duke prekur me të përjetësinë?
Me Dijen e këtyre gjakimeve një qytet zemërgur
në vend të bekuar e shndërron.
Se e kishin fatin ta kenë Bekuesin e Mirë.
Mësues i libër-leximit nëpër hirin e perëndishëm.
Bëhesh Doracak për ndezjen e zemrës së luftëtarit.
E çka ndizet, edhe tretet si qiriu.
Të fshehtat, si guri mbi gur i ruan.
Ua dhuron të tjerëve edhe shëtitjet deri te ëndrra jote.
Të jetosh si Mburojë e Urtisë në hartën e Atdheut,
kur heq mjegullat nga udhët.
2.
Sa i rreptë Shkopi Yt Drejtues,
magji e fshehtësisë me Çelësin e të Vërtetës në dorë.
Përpara e ke Korin e Zemrës, që t’i këndon të vërtetat e Çeljes së Dritës.
A më shumë ke mësuar nga Libri i Zemrës së Jetës, apo nga Libri i Shkruar ?
Eh, sa herë i ke qortuar fajet, dhe ato mëkate kanë qenë mësuesit e tu më të mirë.
Ende krijon ura për të kaluar ata që urrejnë njëri-tjetrin për vdekje.
Që marrin udhë për t’u bërë arkitektë të bukurisë së harqeve të triumfit.
3.
Ende e përdor Artin e Mësimit: si të bëhemi fitimtarë në jetë e në histori.
Më e bukura Detyrë e Shtëpisë: ajo për t’i larë borxhet e shenjta ndaj Vetvetes.
Për t’i marrë për dore nxënësit, ua vë këmbën në rrugë.
E ata mësojnë të ecin vetë.
Për ta shëruar, me Artin e Fjalës Tënde të urtë,
atë që ndien nevojë të shërohet.
Lektura më e rëndë qenka ajo.
E të qenit nxënës i përjetshëm.
(7 mars 2014)
ÇAST I PËRDIELLSHËM LIRIK
1.
Dashuria nuk kërkon asnjëherë borxhe.
Si nuk na tha njëherë dielli: “Më keni borxhe për dritën time”!
E, ai vetëm dhuron e asnjëherë nuk flet.
Dielli mediton e ligjëron heshtas me anë të dritës.
Mendjedielli na e vë në tryezë Buzëqeshjen Hyjnore.
E, Hyji buzëqesh si Fëmija
kur e krijon një univers për gjashtë ditë kozmike.
Thur rendin e vet botëror, rendin e vet kozmik.
Zemrat s’kanë se si të mos votojnë për diellin.
Universi u krijua duke buzëqeshur Hyji.
Dhe, e krijon Burimin prej nga shpërthen Drita.
Ti e sheh Dritën, domethënë atë Prekjen Hyjnore.
E, bota sillet rreth teje, e, s’ka se si ndryshe:
edhe bota ime e dashurisë sillet rreth teje.
2.
Dielli kur del në breg, çuditërisht: ta ndriçon mendjen. Ta bekon mendjen.
E, kur shkon, kur bie errësira, e bekon zemrën tënde.
E bekon me paqen e qetësinë hyjnore.
Ndez kokrrën e urtisë, kokrrën e mendjes.
Ti je mbikohë e jashtëkohë, sepse dielli nuk matet me kohë.
Nuk matet as me një minutë a me një milenium.
As dashuria nuk matet me hapësirën tonë të ngushtë.
Përnjëmend, shihe mrekullinë: dashuria mbulon krejt qiellin,
E, i jep dritë (as toka s’ka si ta dëbojë dritën).
3.
Ëndrrat i ke prej dielli, se ëndrra jote është krejt diell.
Që depërton në brendinë time,
për t’i ndriçuar hapësirat e kërkimit.
Në udhëtim me të, artisti krijon një tjetër diell.
Kur dielli zbret në natë, artisti krijon universin e dashurisë.
E, në këtë univers dielli shumëzohet.
Dashuruesit e diellit shumëzojnë atë.
Mandej dielli i artistit ia lëshon vendin prapë diellit.
(Esslingen, Gjermani, 1 janar 2014)