Pensionohet legjenda e sportit shkollor në Gjilan, Prof. Fehmi Sherifi
GJILAN – Sot shënohet një kapitull i ri në jetën e profesorit të nderuar Fehmi Sherifi, i cili pas shumë vitesh përkushtimi, pune dhe kontributi në arsim dhe sport shkollor, përmbyll rrugëtimin e tij profesional.
Lajmin e bëri të ditur faqja “Sporti Shkollor Gjilan”, duke e uruar profesorin edhe për ditëlindje.
“Prof. Fehmi Sherifi do të kujtohet për angazhimin e tij të palodhshëm, përkushtimin ndaj nxënësve dhe sukseset e shumta të arritura në garat shkollore, nga niveli komunal deri në atë republikan”, thuhet në urimin e publikuar.



Sipas njoftimit, përtej rezultateve sportive, kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm “në edukimin e gjeneratave të reja, në kultivimin e frymës sportive, disiplinës, bashkëpunimit dhe respektit për garën e ndershme”.
“Pensionimi nuk është fundi i një rrugëtimi, por fillimi i një kapitulli të ri, pas një karriere të pasur me vlera, përvojë dhe suksese”, vlerësohet më tej.

Në emër të Sportit Shkollor të Gjilanit, i është shprehur mirënjohje dhe respekt për gjithë kontributin e dhënë ndër vite.
“I nderuar profesor, ju urojmë shëndet të mirë, lumturi, qetësi dhe shumë momente të bukura pranë familjes dhe njerëzve tuaj të dashur! Faleminderit për gjithçka që keni dhënë për arsimin dhe sportin shkollor!”


Urimi është nënshkruar nga Afrim Selimi – Sporti Shkollor Gjilan.
