Pensionohet Bajram Hajrullahu, sekretar i shkollës “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë
Pas një periudhe të gjatë në shërbim të nxënësve e personalit arsimor, është pensionuar sekretari i shkollës “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë, z. Bajram Hajrullahu.
Me rastin e pensionimit të tij në këtë shkollë është mbajtur një ceremoni e organizuar nga menaxhmenti, gjegjësisht drejtoria e kësaj vatre të arsimit, në shenjë respekti e nderimi për veprimtarinë e përkushtuar të sekretarit, Bajram Hajrullahu.
“Në emër të drejtorit, mësimdhënësve, nxënësve dhe gjithë stafit të shkollës, shprehim mirënjohjën dhe falënderimet më të sinqerta, me rastin e pensionimit, të sekretarit të Shkollës sonë, z.Bajram Hajrullahu. Me këtë postim, shprehim falënderimet dhe mirënjohjet tona, për një njeri që për shumë vite ka qenë pjesë e pandashme e jetës institucionale të shkollës sonë. Një njeri i qetë, i përkushtuar dhe gjithmonë korrekt në detyrë, që me punën e tij ka lënë gjurmë të dukshme në funksionimin dhe dinjitetin e institucionit tone”, thuhet në shkrimin dedikuar sekretarit Hajrullahu nga ky institucion në rrjete sociale.


Po aty theksohet se si familjar i heroit dhe figurës së ndritur kombëtare, Mulla Idris Gjilani, sekretari Bajram Hajrullahu ka bartur më vete jo vetëm mbiemrin me peshë historike, por edhe vlera të larta morale dhe profesionale, si: ndershmërinë dhe përgjegjësinë, qetësinë, maturinë, besimin, bashkëpunimin profesional, respektin, mirëkuptimin dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar në çdo situatë, e të cilat e bënë punën më të lehtë dhe ambientin më njerëzor.
“… Andaj, me pamodesti e themi se, pensionimi i Bajramit (sekretarit), shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm pune, por jo fundin e kontributit dhe vlerës që ai ka lënë në shkollë dhe për shkollën. Trashëgimia e tij do të mbetet pjesë e kujtesës sonë institucionale dhe njerëzore”.

“Sekretar i nderuar, Bajram Hajrullahu, për fund, edhe njëherë në emër të të gjithëve, të falënderojmë sinqerisht për çdo ditë pune, përkushtimi dhe korrektësie, që keni treguar gjatë gjithë kohës sa keni qenë pjesë direkte e shkollës. Ju urojmë jetë të gjatë e shëndet të plotë, pranë familjes dhe njerëzve tuaj më të dashur. Me respekt dhe mirënjohje të thellë”, thuhet në fjalën e drejtorit të kësaj shkolle në ceremonnën e organizuar, të publikuar/botuar në rrjete sociale, gjegjësisht në faqen e shkollës “Mulla Idris Gjilani” – Velekincë.

