“Paguaj ose mirato”, META rrezikon 13.5 miliardë dollarë gjobë për thyerje të ligjeve
META është akuzuar për thyerjen e rregullave të reja të konkurrencës digjitale të Evropës lidhur me modelin e reklamimit “paguaj ose mirato”, pasi në fund të vitit të kaluar lansoi shërbimin “Abonim pa reklama”, duke lejuar përdoruesit evropianë të paguajnë deri në 12, 99 euro në muaj për versionet pa reklama.
Alternativa është pranimi i versioneve me reklama të personalizuara.
Komisioni Evropian tha në një deklaratë sot se kjo zgjedhje binare i detyron përdoruesit të pranojnë (përdorimin) e të dhënave të tyre personale dhe nuk arrin t’u sigurojë atyre një version më pak të personalizuar, por ekuivalent të rrjeteve sociale të META.
Nëse konfirmohen gjetjet e përkohshme të hetimit, BE-ja mund të godasë META-n me një gjobë të barabartë me 10% të të ardhurave të saj vjetore globale sipas Aktit të saj historik të Tregjeve Digjitale, ku bazuar në rezultatet e kompanisë më 2023, kjo do të arrinte shumën 13.5 miliardë dollarë.
META njoftoi se nuk i pranon gjetjet e Komisionit. “Abonimi pa reklama” ndjek udhëzimet e gjykatës më të lartë në Evropë dhe është në përputhje me DMA,” tha një zëdhënës për CNN. “Ne presim me padurim dialog të mëtejshëm konstruktiv me Komisionin Evropian për të mbyllur këtë hetim.”
Njoftimi i BE-së vjen një javë pasi Komisioni akuzoi Apple për shkeljen e DMA-së duke parandaluar zhvilluesit e aplikacioneve që të drejtojnë lirshëm konsumatorët drejt shërbimeve më të lira. Rregullatorët po hetojnë gjithashtu Alfabetin mëmë të Google sipas ligjit të ri.
DMA, e cila hyri në fuqi në mars, kërkon që platformat dominuese në internet t’u japin përdoruesve më shumë zgjedhje dhe rivalëve më shumë mundësi për të konkurruar. Platformat online shpesh mbledhin të dhëna personale në shërbimet e tyre dhe të palëve të treta dhe i përdorin ato në shërbimet e reklamimit digjital.
Margrethe Vestager, një komisionare evropiane e ngarkuar për politikën e konkurrencës, vuri në dukje në deklaratën e së hënës se META kishte grumbulluar të dhëna personale të miliona qytetarëve të BE-së gjatë shumë viteve.
“Ne duam të fuqizojmë qytetarët që të jenë në gjendje të marrin kontrollin mbi të dhënat e tyre dhe të zgjedhin një përvojë më pak të personalizuar të reklamave,” tha ajo.
Michael Koenig, një zyrtar i lartë në Komisionin, tha se META duhet t’u ofrojë përdoruesve një alternativë ndaj personalizimit “të plotë” të reklamave që “nuk mbështetet në këto të dhëna personale dhe që më pas është automatikisht më pak e personalizuar dhe ende e disponueshme për ta”.
“Më pas, META është e lirë të mbajë një opsion të tretë, që është një abonim për të mos parë reklama ose një opsion të katërt që mund të ketë disa veçori premium”, u tha ai gazetarëve.
Komisioni Evropian do të përfundojë hetimet ndaj META deri në fund të marsit 2025.