Osmani uron Fitër Bajramin: Kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajramit, pas takimit që zhvilloi me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, sot më 20.03.2026.
Ajo uroi që kjo festë të sjellë mirësi, bashkim dhe solidaritet mes qytetarëve, duke shprehur besimin se lutjet dhe agjërimi i besimtarëve janë pranuar.
“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës sonë me fat festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për ta, duke shpresuar që Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit dhe duke shpresuar që kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat, t’i hapë dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe t’i rrisë vlerat njerëzore të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull, përfshirë në kohët më të rënda, kur pikërisht ky bashkim, pikërisht hapja e zemrave dhe dyerve, na ka ndihmuar që t’i tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe për kombin tonë”- deklaroi Osmani.
Presidentja shprehu mirënjohje të veçantë për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe rolin e saj gjatë muajit të Ramazanit, duke theksuar kontributin në mbështetjen e familjeve në nevojë.
“Dua ta falënderoj Myftiun dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij anë e kënd Kosovës në Bashkësinë Islame të Kosovës për punën e jashtëzakonshme që e bëjnë përgjatë tërë vitit, por në veçanti përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit për të mbështetur familjet në nevojë, për t’u siguruar që çdo familje ka begati, ka harmoni, ka mbështetje, ndiejnë dorën e mbështetjes edhe në kohë të rënda.”- u shpreh presidentja Osmani.
Osmani falënderoi gjithashtu edhe partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët për solidaritetin e treguar, duke përfshirë edhe kontributin e mërgatës.
“Dua t’i falënderoj miqtë, aleatët tanë, të cilët shpesh edhe nëpërmjet shtetit, edhe nëpërmjet Bashkësisë Islame ndihmojnë familjet në Kosovë. Dua t’i falënderoj qytetarët tanë zemërgjerë, përfshirë ata nga mërgata jonë, të cilët asnjëherë nuk e mbyllën zemrën, por gjithmonë e hapën atë duke ndihmuar çdo familje që ka nevojë edhe sot të festojë, por ta ndiejë dorën e solidaritetit edhe përtej festës së Bajramit.”- tha ajo.
