Nxënësit e ShFMU “Musa Zajmi” në Gjilan shkëlqejnë në Olimpiadën Rajonale të Matematikës “Kupa e Anamoravës 2026”
Shkolla gjilanase u përfaqësua denjësisht në mesin e talenteve nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut, duke fituar një vend të parë dhe dy renditje tjera në pesëshen më të mirë.
ShFMU “Musa Zajmi” në Gjilan ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën Rajonale të Matematikës “Kupa e Anamoravës 2026”, ku nxënësit e saj u dalluan me rezultate të larta në një konkurrencë të fortë rajonale.

Në këtë olimpiadë morën pjesë nxënësit më të talentuar nga rajonet e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Bujanocit, Preshevës, Kumanovës dhe Shkupit, ndërsa përfaqësuesit e ShFMU “Musa Zajmi” dëshmuan njohuri të shkëlqyera, aftësi analitike dhe përkushtim të lartë në matematikë.
Rezultatet e arritura nga nxënësit e kësaj shkolle janë:
- Amar Hismoni (8/4) – Vendi i Parë
- Anik Hajrullahu (7/2) – Vendi i Katërt
- Famesa Demiri (6/3) – Vendi i Pestë

Veçanërisht u dallua nxënësi Amar Hismoni, i cili u shpall fitues i vendit të parë, duke i sjellë një tjetër sukses të rëndësishëm ShFMU “Musa Zajmi” dhe arsimit gjilanas.
Sipas njoftimit të shkollës, këto rezultate janë fryt i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe talentit të nxënësve, por edhe i mbështetjes së mësimdhënësve dhe prindërve në rrugëtimin e tyre arsimor.

Ky sukses konsiderohet një dëshmi e përkushtimit të ShFMU “Musa Zajmi” për kultivimin e dijes dhe mbështetjen e nxënësve të talentuar, veçanërisht në fushën e shkencave ekzakte.
Drejtuesit dhe stafi i shkollës kanë shprehur krenarinë për arritjet e nxënësve, duke i uruar ata për përfaqësimin dinjitoz dhe rezultatet e shkëlqyera, me bindjen se suksese të tilla do të vazhdojnë edhe në garat e ardhshme.
