MKRS thotë se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetar i KB Prishtina
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar pas zgjedhjes së Bekë Berishës si Kryetar i Klubit Basketbollistik “Sigal Prishtina”, në Kuvendin e mbajtur dje.
Sipas Ministrisë, Berisha nuk mund të jetë edhe deputet edhe kryetar i klubit basketbollistik, shkruan Reporteri.net.
“Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L – 011) dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L – 011 ), si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës (neni 8 i Ligjit Nr.06/L – 011)”, thuhet në njoftim.
MKRS-ja i ka bërë thirrje Berishës që pasi të betohet si deputet t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt interesi.
“MKRS do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë”, thuhet në reagim.
Ministria ka shtuar se do të kërkojë nga Federata e Basketbollit e Kosovës të sigurohet se në Kuvendin zgjedhor të KB Prishtinës janë zbatuar të gjitha detyrimet që ndërlidhen me papajtueshmërinë e implikimeve ndër të tjera politike në menaxhimin e organizatave sportive si dhe të ruajtjes e garantimit të integritetit ligjor sportiv.
Me reagim ka dalë edhe tifo-grupi “Plisat”. Në reagimin e tyre publik, Plisat e kanë cilësuar Kuvendin si të paligjshëm dhe procesin e zgjedhjes si të padrejtë, duke theksuar se zgjedhja e kryetarit është bërë pa transparencë dhe pa një garë të hapur për ide dhe vizion për të ardhmen e klubit.
Sipas tifo-grupit, Bekë Berisha nuk ka lidhje me klubin, sportin apo kryeqytetin dhe nuk gëzon mbështetjen e tifozëve.
