Mimoza Kusari nuk paraqitet në gjyq, bie padia e saj ndaj Ardian Gjinit
Mimoza Kusari- Lila nuk është paraqitur të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Gjakovës, për rastin në të cilin e ka paditur Ardian Gjinin për shpifje dhe fyerje më datë 20.11.2017.
Në këtë seancë ka qenë prezent vetëm avokati i Ardian Gjinit, Meshari Selimaj, sipas dosjes së Gjykatës.
“Në seancën përgatitore të datës 21.02.2024, nuk ka prezantuar paditësja e po ashtu nuk ka prezantuar i autorizuari i saj, pavarësisht faktit se sipas konstatimit të cekur me lartë, ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa në seancë ka prezantuar i autorizuari i të paditurit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata e Gjakovës ka vendosur më 21.02.2024 që padinë e ushtruar në fjalë të e konsiderojë të tërhequr me vendim.
Sipas vendimit, paditësja Mimoza Kusari- Lila mungesën e saj nuk e ka arsyetuar në asnjë formë, dhe sipas Gjykatës e njëjta ishte ftuar në mënyrë të rregullt përmes avokatit të saj Faton Qirezi.
“Meqenëse paditësja ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, përmes të autorizuarit të saj, ndërsa mungesën nuk e ka paralajmëruar dhe arsyetuar në asnjë formë, e po ashtu marrë parasysh faktin se i autorizuari i të paditurit nuk ka kërkuar që seanca përgatitore të mbahet, gjykata duke u bazuar në nenin 409 paragrafi 1 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, në të cilin është paraparë se “Në qoftë se në seancë përgatitore nuk vjen pala paditëse, edhe pse është thirrur rregullisht, padia konsiderohet e tërhequr, përveç kur i padituri kërkon që seanca të mbahet”, vendosi që padinë e paditëses ta konsideroj të tërhequr” – thuhet tutje në vendimin në fjalë.
Avokati Faton Qirezi ka thënë se është dakorduar me klienten e tij që mos të procedojnë tutje në këtë rast.
“Ne jemi dakordu me klienten që mos me vepru sipas aktvendimit të Gjykatës e cila ka kërku provën edhe precizimin e kërkesë-padisë. Jemi marrë vesh që mos me vepru sipas asaj dhe gjykata do ta konsiderojë si të tërhequr, dhe sikur gjykata ta konsideronte si të tërhequr atëherë normal edhe seanca bije poshtë” – tha avokati Qirezi për portalin “Kallxo.com“.
Seanca e datës 18.01.2024 kishte dështuar të mbahej meqë avokati Qirezi nuk kishte qenë i pajisur me shkresat e lëndës.
Në padinë e ushtruar thuhet se Ardian Gjini në emisionin “Koha Elektorale” në televizionin KohaVision, i kishte thënë disa deklarata për Mimoza Kusari- Lilën në një fushatë zgjedhore në vitin 2013 për thyerjen e disa zyrave të AKR-së.
Nga ana tjetër, avokati i Ardian Gjinit, Meshari Selimaj prtendon se pala paditëse ka munguar meqë ka pasur dijeni që i padituri do ta propozonte si dëshmitar ish-drejtuesin e kampanjës zgjedhore të vet paditëses në vitin 2013, Korab Lleshin, dhe i njëjti do të tregonte lidhur me thyerjen e zyrave.
Kundër vendimit në fjalë pala e pakënaqur ka të drejtë të paraqesë ankesë në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, thuhet në vendimin e gjykatës.