Mbi 500 mijë euro të kapura në Durrës, dyshohet se paratë janë të grupeve kriminale
Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest me burg” për Elidon Çelën, që u kap në port me 522 mijë euro të padeklaruara dhe mallra kontrabandë në autobusin e tij.
Ai doli përballë togave të zeza për akuzën e mosdeklarimit në kufi të parave dhe sendeve me vlerë, por dhe si i dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
Pretendimet e Çelës janë se paratë vijnë si rezultat I kursimeve familjare, por mbetet enigmë fakti se përse paratë gjendeshin në autobus.
Gjykatësi Paulin Çera vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa la të lirë dy ndihmësit e tij.
Avokati i Çelës, Gramoz Lika tha se ky vendim do të ankimohet në Gjykatën e Apelit.
Çela u arrestua pasi gjatë kontrollit në autobusin e tij, që vinte nga Bari, u gjetën të fshehura në 6 qese plastmasi me paratë.
Raste të ngjashme në Portin e Durrësit ka pasur edhe më parë, ku përmes linjave të transportit, individë ose grupe kriminale sjellin para të pista duke paguar edhe një përqindje për futjen e tyre në Shqipëri.