Mbahet Festivali Mbarëkombëtar “Radiofest 2025”
Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Me organizim të Radio Gjakovës u mbajt edicioni i 16 i festivalit mbarëkombëtar të radiove “Radiofest 2025”.
Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu dedikua trashëgimisë kulturore.
Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës.
Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja. N
dërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan).
Çmimi i nikoqirit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë). Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga.
Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria.
Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës.
