LDK – dega Gjilan: Sistemi arsimor në Gjilan, para kolapsit
Komunikatë për media:
Para se të mundohemi të gjejmë fajtorin e protestave dhe grevave në çdo fillim vit në arsim, ne duhet të analizojmë rrethanat në të cilat ndodhej arsimi në periudha të ndryshme kohore, me theks të veçantë në vitet e okupimit të viteve të 90-ta.
Po e theksojmë këtë periudhë për të kujtuar sakrificën e mësimdhënësve në ato vite. Shumë nga mësimdhënës të atyre viteve, janë sot ende në procesin mësimor dhe me të drejtë pas çlirimit kanë rritur pritjet e tyre, se shteti i ri i Kosovës do ta vendosë në prioritet arsimin.
Deri pas shpalljes së Pavarësisë, ishte në njëfarë mënyre e pranueshme se buxheti shumë i kufizuar i Kosovës po e kushtëzon zhvillimin e arsimit dhe mësimdhënësit punonin me po ato kushte infrastrukturore që kishin trashëguar nga para lufta.
Me shpalljen e Pavarësisë 2008 dhe me rritjen graduale të buxhetit, filluan të rriten me të drejtë edhe kërkesat e mësimdhënësve të cilat qeveritë po i merrnin me seriozitet, duke u munduar që së pari t’i mirëkuptojnë ato, e më pas edhe në një masë deri diku të dukshme edhe t’i plotësojnë.
U ndërtuan disa shkolla, dhe pat rritje të pagave jo të kënaqshme, por pakënaqësitë e mësimdhënësve filluan të zvogëlohen, sepse edhe këta mirëkuptonin qeveritë se s’mund të bënin më shumë, dhe ky mirëkuptim arrihej me dialog mes partnerëve social.
Pakënaqësitë tutje, u drejtuan në trajnimet të cilat dyshohej se janë jo të përshtatshme dhe të zbatueshme në vendin tonë. Sidoqoftë sot kemi një kurrikulë e cila ka përmbushurën ligjore së bashku me ligjin për arsim të cilin kohë të gjatë e kemi pritur dhe kërkuar.
Po të analizojmë infrastrukturën ligjore në arsim, ne mund të krahasohemi me shumë vende që sot radhiten lartë në testet ndërkombëtare të diturisë, dhe kjo si rezultat i punës së palodhshme dhe profesionale të qeverive të kaluara e jo të kësaj që sot po qeveris me 51 % e që këtë infrastrukturë ligjore ka filluar ta zhbëjë duke kthyer vlerësimin e nxënësve nga tri perioda, ne dy, pra në dy gjysmë-vjetore, e cila të kujton vlerësimin e viteve 90-ta për të cilin ka pas analiza dhe vlerësime se është i tejkaluar.
Kjo qeveri e Albin Kurtit, qeveri e 51% duke mos pasur asnjë pikë kontributi në gjithçka që është arritur deri sot dhe duke dashur të thotë se s’ka asgjë të mirë këtu, po i zhbën edhe ligjet, e po e injoron gjithë atë mund që është bërë për të ardhur deri në këtë pikë.
Kjo qeveri nuk di as për historikun e arsimit. Ajo çdo ditë përmes deklaratave të ministres Nagavci i injoron dhe fyen mësimdhënësit. Ajo çdo ditë e më shumë po i rritë tensionet në mes partnerëve socialë, duke krijuar situata të protestave dhe grevave të mësimdhënësve, për të cilat thotë se po i politizon opozita.
Ministria e arsimit, me paditurinë dhe arrogancën e ministres Nagavci e cila çdo ditë po dëshmon se është e padenjë të udhëheq me arsimin, nëse nuk jep dorëheqjen sa më shpejt do të kallopsojë sistemin arsimor. Sot në Republikën e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha divergjencat në mes MAShT-t, SBAShK-it dhe Këshillit të Prindërve.
Këto divergjenca që po krijon ministrja Nagavci duke llogaritur në arrogancën e numrave të qeverisë që përfaqëson, s’ka se si ta lehtësojë komunikimin në nivelin lokal në mes këtyre partnerëve kryesor dhe veç sa po e vështirëson dhe komplikon menaxhimin e institucioneve arsimore nga drejtuesit e shkollave dhe kjo po ndikon në pamundësinë e rritjes se cilësisë në arsim. Ministrja e arsimit nuk po i përfillë as kërkesat e Këshillit të prindërve që mos t’iu mohohet e drejta e fëmijëve të tyre për pushim ditëve të shtune dhe pushimit pranveror. Ajo duke mos përfill prindërit të cilët po i mbrojnë një të drejtë të fëmijëve të tyre, do të mbahet përgjegjëse për krijimin e çdo situate të palakmueshme në arsimin kosovar.
Sot, kur në Kosovë tema kryesore është tejkalimi i këtyre divergjencave për t’i hapur rrugë mbarëvajtjes së arsimit, për të rritur angazhimet tona në rritjen e cilësisë, ne edhe pas dy muaj nga fillim vitit mësimor, merremi me atë se a do të shkojnë nxënësit në shkollë të shtunave apo jo dhe, kur dështon të realizohet mësimi të shtunave, ministrja heshtë dhe injoron deri në atë masë, sa edhe tenton edhe t’i nënshtrojë SBAShK-un dhe Këshillin prindërve . Në historikun e Arsimit, Nagavci do të mbetet sinonim i një ministre skajshmërisht injorante dhe e padenjë të udhëheq një nga sektorët më të rëndësishëm të një qeverie.
Këto inate që burimin e kanë padyshim në MASHT po rrezikojnë rritjen e padëgjueshmërisë në sistemin arsimor, e cila mund t’i rikthej grevat të cilat mund të jenë me të drejtë edhe më të fuqishme se ishin, e të cilat ose do të rezultojnë me sukses, ose edhe mund të çojnë në kolaps sistemin edhe ashtu të lodhur.
MAShT, përveç që ka humbur komunikimin me partnerët social, ajo sa i përket mbarëvajtjes së mësimit ka anashkaluar bashkëpunimin me nivelin lokal. Dhe kur jemi këtu dua të dërgoj një mesazh te kryetarët e komunave se duke qenë punëdhënësit në sistemin arsimor, duhet të ngrenë zërin e tyre për këto parregullsi që po ju vinë nga MAShT. Ata janë të zgjedhur nga qytetarët e komunave të tyre dhe nuk duhet të heshtin para kësaj situate.
Unë deri sot kam parë pozicion neutral të kryetarëve të komunave dhe si i tillë ishte edhe pozicioni i kryetarit të Gjilanit, i cili sillet sikur çdo gjë po shkon mirë në arsim. Qeveria komunale në Gjilan përveç që nuk ka realizuar asnjë projekt infrastrukturor, ajo po vazhdon të hesht përpara kolapsit në arsim që po vjen.
Projektet e efiçiencës me të cilat po krenohet kjo qeveri, i kujtojmë se janë projekte të filluara dhe kontraktuara nga qeveria e LDK- së. Ende nuk kanë filluar programi për efiqiencë në shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan dhe shkollën “Liria” në Pogragjë, e sqarime për këtë s’ka dhënë asnjëherë.
Projektet edhe mund t’i vonojë, por adresa e meritave nuk ndryshohet. Sa herë mendon të bëjë këtë mashtrim për qytetarët, ai mashtron veten.
Po kalon edhe muaji tetor e qeveria komunale nuk ka siguruar lëndën djegëse për ngrohjen e institucioneve edhe pse disa herë i kemi kujtuar se ky proces këtë vit del të jetë më kompleks dhe lypset kujdes.
Shkollat në komunën e Gjilanit ende po furnizohen me material administrativ e higjienik përmes operatoreve të caktuar me procedura të rregullta të tenderimit nga qeveria e LDK-së.
Kjo qeveri ashtu siç nuk po mund t’i menaxhojë sipas ligjit procedurat e tenderimit ajo s’po mund të menaxhojë edhe konkurset për punësimin e mësimdhënësve ku si pasojë e keqmenaxhimit dhe nepotizmit është shkarkuar drejtoresha e Arsimit. Z. Hyseni nuk mund të përmbyllë nepotizmin në qeverinë e tij me shkarkimin e një drejtoreshe. Do të jemi kujdestar në këtë proces, me qëllimin më të mirë që mos të dëmtojë besimin e qytetarëve të krijuar me vite në këtë proces.
Pajisja e shkollave me kabinete e laboratorë, si dhe projekti i mësimit tërë-ditor, i proklamuar në fushatë zgjedhore kanë mbetur në sirtarët e qeverisë së kryetarit të Gjilanit dhe si i tillë s’ka si të kuptohet ndryshe pos si trillim dhe mashtrim që u ka bërë qytetarëve.
Në fund z. Hyseni duhet t’i jap drejtim çështjes së zbatimit të kalendarit shkollor të rishikuar nga MASHT, ose duhet të deklarohet pse heshtë para kolapsit !
Heshtjen dhe injorancën nuk do ta durojnë qytetarët e Gjilanit dhe do t’ua japin dënimin.
Komisioni për Arsim LDK Gjilan
25 tetor 2022