Kuvendi i Gjilanit, ka mbajtur seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së
Gjilan, 5 mars 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, ka mbajtur të enjten seancë solemne për nder të Epopesë së UÇK-së, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, përfaqësues tjerë institucionalë, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta.
Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, ka thënë se sot kombi shqiptar përkulet me nderim të thellë para sakrificës sublime të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.
“Se sa i shtrenjtë është çmimi i lirisë më së miri e dëshmoi familja Jashari para 28 vitesh, me sakrificën e tyre vetëflijuese”, tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pohoi se Epopeja e UÇK-së është simbol i qëndresës, sakrificës dhe i dashurisë së pakushtëzuar për lirinë.
Kryetari Hyseni, theksoi se në këto ditë të kujtesës dhe respektit, përulemi me nderim para veprës së komandantit legjendar Adem Jasharit si dhe gjithë familjes Jashari, sakrifica e të cilëve u bë simbol i qëndresës dhe i rrugës tonë drejt lirisë.
SIpas tij Epopeja e UÇK-së është histori krenarie dhe frymëzim për brezat që vijnë.
“Është historia e burrave dhe e grave që vendosën që fatin e tyre dhe të atdheut ta bartim mbi supet dhe mbi jetën e tyre. Në ditët e marsit 1998, në Prekaz u dëgjua zëri i popullit që kishte vendosur të mos jetonte më në robëri”, është shprehur veç tjerash kryetari Hyseni.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se familja Jashari nuk ishte rastësisht në përballjen më të fuqishme që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, duke u sakrifikuar me fëmijë, gra, burra e pleq, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
Në këtë seance solemne ka adresuar mesazhin edhe ish-ushtarja e UÇK-së, njëherësh asambleiste e Kuvendit të Gjilanit nga radhët e PDK-së, Malikie Hoxha, sikurse edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal, përkatësisht Shpend Nuhiu (LVV), Sami Ahmeti (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Nazim Gagica (AAK).











