Kurti: Komisionerë e individë që janë përfshirë në manipulime votash s’kanë amnisti
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me rastet e dyshuara të manipulimeve të votave brenda subjekteve politike, duke bërë thirrje që institucionet përgjegjëse t’i hetojnë deri në fund këto raste.
Ai ka bërë me dije se komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike nuk ka amnisti.
Tutje, ka theksuar se “Kosova është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore”
Postimi i plotë:
Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.
Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit.
Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen.
