Kryetari Haliti po qëndron për vizitë në Austri
Në vazhdën e takimeve zyrtare si Kryetar i Komunës së Vitisë, gjatë vizitës në Austri, Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, qëndroi në Komunën e Kapfenbergut, ku u prit nga udhëheqja komunale dhe zhvilloi një takim zyrtar me Nënkryetaren e Komunës, znj. Monika Vukelic-Auer, MBA.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe veprimtarët dhe udhëheqësit e shoqatave shqiptare në Austri, z. Naim Sadiku dhe z. Gani Maxhuni, me ndërmjetësimin dhe angazhimin e të cilëve u realizua ky takim, të cilët me kontributin e tyre të vazhdueshëm kontribuojnë në organizimin e aktiviteteve të shumta dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet mërgatës dhe institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal, shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale, zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në projekte konkrete me interes të përbashkët.
Po ashtu, në qytetin e Gracit, Kryetari Haliti po merrë pjesë në Konferencën Evropiane për Biomasën, ku janë të pranishëm përfaqësues nga Bashkimi Evropian, institucionet e nivelit qendror të Austrisë, si dhe autoritete dhe ekspertë të fushës së energjisë dhe mjedisit. Kjo konferencë paraqet një mundësi të rëndësishme për njohjen e praktikave më të mira evropiane dhe për krijimin e kontakteve që mund të shfrytëzohen edhe në të ardhmen për Komunën e Vitisë.
Këto aktivitete kanë për qëllim përfaqësimin dinjitoz të Komunës së Vitisë dhe krijimin e partneriteteve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në përfitime konkrete për qytetarët.
