Kriza e rritjes së çmimeve në Kosovë .
Ky muaj përfaqëson një moment historik dhe të rëndësishëm në ngritjen e çmimeve pothuajse të gjithë mallrave qofshin ato esencilale apo luksoze.
Rritja e çmimeve në tregun global ka ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë për shkak të varësisë së lartë të tregut të Kosovës nga importi i mallrave prej vendeve tjera.
Përveç rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, qytetarëve të Kosovës, shumë shpejt mund t’u zvogëlohet fuqia blerëse edhe për shkak të krizës energjetike në Kosovë që rezultoi në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Tarifat e reja të energjisë mund të bëjnë që qytetarët shumë shpejt të paguajnë deri në 40% më shumë vetëm për energji elektrike.
Ndryshe, çmimet e naftës dhe të gazit janë në rritje, nga frika se kriza midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime në furnizime.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila është pikë ndërkombëtare e referimit, arriti të martën në 99.38 dollarë për fuçi – çfarë është niveli më i lartë në shtatë vjet.
Me terma ekonomike kjo gjenje konsiderohet si Inflacion.
Inflacioni është rritje e çmimit të përgjithshëm të mallrave dhe shërbimeve që blihen zakonisht prej konsumatorëve — e njohur si shporta e konsumatorëve. Në Kosovë, kjo llogaritet si ndryshimi në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve (IHÇ) dhe matet nga ASK në baza mujore duke e krahasuar me muajin përkatës të vitit paraprak.
Pra inflacioni e dobëson fuqinë tuaj blerëse — ju keni më pak para. Fatkeqësisht me pagat e ulëta si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, inflacioni në Kosovë ndihet më ashpër.
Rasti i Kosovës
Politikat sociale të një vendi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e njeriut të qytetarëve të atij vendi. Kosova është në një pozitë komplekse ekonomike që e përcakton edhe gjendjen sociale si dhe politikat sociale të ndërmarra nga qeveria. Të gjithë indikatorët makroekonomikë dhe socialë e vendosin Kosovën në mesin e vendeve më të varfra në Evropë.
Ekonomia është kryesisht e bazuar në shërbime hoteliere, bujqësi, tregti dhe ndërtime. Prodhimi është ende simbolik, me një industri ushqimore që është në fillesat e saj dhe me një bujqësi e blegtori.
Kjo situatë ekonomike me shumë probleme bën që varfëria në Kosovë siç e thekson Banka Botërore të jetë persistente, e përhapur, sidoqoftë jo e thellë. Mirëpo është e rëndësishme që të administrojmë me kurajë dhe këmbëngulje perceptimin që mbizotëron aktualisht se çdo gjë është bardh e zi.!
Sipas agjensise se statistikave te Kosovës të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 27.8% në muajin dhjetor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 394.9 milion Euro, krahasuar me deficitin 309.1 milion Euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14.1%.
Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65.0 milion Euro, ndërsa importi 460.0 milion Euro, që është një rritje prej 39.3% për eksport dhe 29.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 22.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë produktet minerale; 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0% e përbëjnë produktet minerale; 14.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 17.2 milion Euro, ose rreth 26.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4%), Italia (2.9%), Holanda (2.3%), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 210.6 milion Euro, ose 45.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0%), Italia (7.2%), Sllovenia (4.7%), Greqia (4.3%), etj.
Pak përparime janë bërë në Kosovë në drejtim të reformave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, theksohet në Raportin e Progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dy faktor kryesorë përmenden në raport, situata e paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme dhe pandemia e Covid-19. “
Qeveria e Kosovës duhet të bëhet më e kujdesshme, por njëkohësisht më aktive në dizajnimin e politikave ekonomike dhe fiskale që do ndihmonin në krijimin e kushteve për rritjen e investimeve private të brendshme dhe të jashtme, por edhe në përkrahjen e atyre ekzistueseve, sidomos atyre që janë të orientuar në prodhim. Shteti ynë, duhet të krijojë ambient të favorshëm të biznesit përmes politikave ekonomike, fiskale, zhvillimit të arsimit të të gjitha niveleve, përfshirë atë profesional, sundimit të ligjit, ndalimit të korrupsionit etj.
Në rrethanat aktuale të Kosovës, kategoritë më në nevojë janë ato të personave me aftësi të kufizuar, të familjeve që nuk kanë të punësuar, të të papunësuarve me shkathtësi të vogla për punë dhe me arsimim të ulët, të pensionistëve, të invalidëve të luftës, viktimave civile dhe familjeve të dëshmorëve etj. Trajtimi i këtyre kategorive, për çdo shtet kërkon përkushtim serioz si financiar ashtu edhe njerëzor. Në kushtet në të cilat Kosova gjendet, pozita e këtyre kategorive është mjaft e vështirë. Andaj në vazhdim do të trajtohen këto kategori, duke analizuar politikat e deritanishme të qeverisë, ligjet në fuqi si dhe mundësitë për t’u rregulluar këto politika edhe duke u bazuar në mundësitë dhe limitet buxhetore që ka Kosova./ Mediakos.org