KQZ: Procesi i rinumërimit përmbyllet në 19 komuna, shtohet numri i tavolinave
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar 316 nga 914 vendvotime.
Ai ka treguar se 316 vendvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (43/235).
Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë pjesës tjetër të ditës, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është shtuar numri i tavolinave për rinumërim, nga 20 në 26 sosh.
