KPK kundërshton koeficientin e caktuar nga Qeveria Kurti, Ligji për Paga do të dërgohet në Kushtetuese
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton opinionin publik se në vazhdimësi ka marrë pjesë në grupet punuese gjatë procesit të hartimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me ç’rast ka ofruar propozime dhe komente konkrete lidhur me këtë ligj, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga organet përkatëse.
“Rrjedhimisht, sot, me rastin e publikimit të vlerës së koeficientit nga ana e Qeverisë, faktikisht, vërtetohet hapur se janë ulur ndjeshëm pagat e prokurorëve të shtetit dhe pagat e një pjese të stafit administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së për medie.
“Më ketë rast, duke shprehur kundërshtimin tonë të fuqishëm lidhur me caktimin e koeficientit të pagave, kërkojmë edhe njëherë që të realizohet kërkesa e Këshillit Prokurorial drejtuar Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
KPK konstaton përfundimisht se me këtë rast është cenuar funksionalizimi i sistemit prokurorial, ngaqë pretendimet e ngritura me kohë janë të mbështetura në aktet, praktikat dhe standardet ndërkombëtare dhe, të cilat nuk mund dhe nuk duhet të cenojnë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti.