“Kosova e Para” – Thirrja e Faton Bislimit për maturi politike dhe stabilitet institucional
Ish-deputeti dhe veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Faton Bislimi, ka reaguar përmes një deklarate publike në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke bërë thirrje për maturi, stabilitet dhe vendosje të interesit shtetëror mbi kalkulimet partiake.
Në reagimin e tij, Bislimi thekson se në momente të ndjeshme për vendin, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe jo për lëvizje që mund të prodhojnë paqartësi të re politike. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të përbëjnë një zgjidhje procedurale, por jo domosdoshmërisht një zgjidhje shtetërore, duke pasur parasysh sfidat serioze me të cilat përballet vendi në politikën e jashtme, në dialog dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Ai paralajmëron se një destabilitet i ri politik do të kishte kosto të lartë për qytetarët, në një kohë kur kërkohet konsolidim i brendshëm institucional dhe unitet në vendimmarrje.
Duke u ndalur te roli i kreut të shtetit, Bislimi shprehet se Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë uniteti dhe garantues i balancës institucionale. Sipas tij, përgjegjësia për të gjetur gjuhë të përbashkët nuk është thjesht çështje aritmetike parlamentare, por test i pjekurisë politike.
Në fund të reagimit të tij, ai rikujton se Kosova ka kaluar periudha shumë më të vështira dhe ka dëshmuar se di të bashkohet kur interesi shtetëror vihet mbi interesin partiak, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen:
“Përtej çdo dallimi politik, një e vërtetë mbetet e panegociueshme: Kosova është mbi të gjitha – Kosova e Para!”
