Këshilltarja komunale Malikije Ymeri Hoxha ngrit dy shqetësime serioze në Kuvendin e Komunës së Gjilanit
Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Këshilltarja komunale Malikije Ymeri Hoxha nga degë e PDK ngriti dy shqetësime të rëndësishme që prekin jetën e banorëve dhe studentëve të komunës.
Së pari, ajo tërhoqi vëmendjen mbi gjendjen e trotuareve dhe mungesën e ujësjellësit në fshatin Cerrnicë. Punimet në trotuare, të cilat kanë filluar tash e gati dy vite, ende nuk kanë përfunduar, duke i lënë rrugët dhe trotuaret të dëmtuara dhe të pasigurta, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Për ujësjellësin, ekzistonte një rrjet pothuajse i kompletuar me rreth 250 shtëpi të kyçura, i cili me një investim prej rreth 20,000 euro mund të funksionalizohej. Megjithatë, u vendos të ndërtohej një rrjet i ri, i cili sot nuk është funksional, duke lënë banorët e Cerrnicës pa ujë. Këshilltarja kërkoi përgjigje të qarta mbi arsyet e vonesave, vendimet për rrjetin e ri dhe përgjegjësitë për këtë situatë, duke theksuar se qytetarët meritojnë kushte dinjitoze jetese, jo premtime të pambajtura.
Së dyti, Malikije Ymeri Hoxha ngriti shqetësimin për vonesat e bursave komunale për studentët. Shumë studentë që aplikuan në shtator të vitit 2025 ende nuk kanë marrë pagesat e tyre, ndërkohë që kjo nuk është hera e parë që ndodh. Vonesa në dhënien e bursave penalizon veçanërisht studentët nga familjet me gjendje të vështirë ekonomike dhe bën që mbështetja të humbasë efektin e saj të synuar. Këshilltarja kërkoi sqarime të qarta mbi arsyet e vonesës, pengesat në proces dhe afatet konkrete të realizimit të pagesave për aplikuesit.
Në këtë mënyrë, sipas saj, banorët dhe studentët e Gjilanit meritojnë transparencë, trajtim të drejtë dhe kushte dinjitoze jetese, duke kujtuar se këto çështje nuk janë vetëm politike, por edhe njerëzore dhe institucionale.
