Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së mblidhet sot, në fokus çështja e Presidentit
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizja Vetëvendosje po mban sot mbledhjen e radhës, ku ndër temat kryesore të diskutimit pritet të jetë edhe çështja e Presidentit të Republikës.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se në këtë mbledhje do të trajtohet edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit. Ai paralajmëroi se Vetëvendosje pritet të dalë së shpejti me një propozim konkret për kandidaturën.

Sipas Kurtit, mbledhja e Këshillit nuk është thirrur posaçërisht për këtë temë, por në kuadër të obligimeve statutore që parashohin katër takime brenda vitit. Ai theksoi se viti 2026 është vit zgjedhor për subjektin politik, çka kërkon përgatitje të reja organizative.
Megjithatë, çështja e Presidentit mbetet në qendër të vëmendjes. Kreu i qeverisë nënvizoi se në mungesë të një marrëveshjeje politike apo të një emri konsensual, partia do të avancojë me propozimin e saj, për të cilin tha se pritet të bëhet publik brenda një afati të shkurtër.
