Kamenicë: Mbahet mbledhje solemne për “Epopenë e UÇK-së”
Kuvendi Komunal ka mbajtur mbledhje solemne për nder të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”.
Këtë mbledhje e hapi Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj-Fera, ndërsa të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, Nënkryetarja Arta Bajralija, asamblistët e Kuvendit Komunal, përfaqësuesi i OVL-UÇK-së – dega në Kamenicë, Milaim Limoni, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, media, OJQ dhe të tjerë.
Pas hapjesë së mbledhjes, Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqirja –Fera, në fjalimin e saj tha sot janë mbledhur në këtë seancë solemne për të përkujtuar me nderim dhe krenari “Epopen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë.
“Epopeja e UÇK-së është simbol i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë së një populli që zgjodhi lirinë mbi nënshtrimin. Në marsin e lavdishëm të Prekazit, u dëshmua se dashuria për atdheun është më e fortë se frika dhe se liria fitohet me përkushtim e sakrificë. Sot nuk kujtojmë vetëm rënien heroike të luftëtarëve, por edhe idealin e tyre për një Kosovë të lirë, sovrane dhe demokratike. Ky ideal mbetet udhërrëfyesi ynë. Si Kryesuese e Kuvendit Komunal, theksoj përgjegjësinë tonë që amanetin e dëshmorëve ta kthejmë në punë të ndershme, institucione transparente dhe vendimmarrje në shërbim të qytetarëve. Nderimi më i madh për ta është ndërtimi i një shteti me drejtësi, barazi dhe mundësi për të gjithë”, është shprehur Kryesuesja Beqiraj – Fera.
Kryetari i Komunës në fjalën e tij tha se sot nuk janë mbledhur vetëm si zyrtarë apo si përfaqësues politikë por sot janë mbledhur si bijtë dhe bijat e një toke që e njeh mirë çmimin e lirisë.
“Nesër, mbarë Kosova fillon shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe zemra e këtij shënimi rreh fort edhe këtu, në Kamenicën tonë të dashur. Kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin e vitit 1998, ne kujtojmë momentin kur liria mori emër: Adem Jashari. Prekazi u bë altari ku u flijua një familje e tërë, për t’i treguar botës se një popull nuk mund të mposhtet kur vendos të jetojë i lirë. Ai rrethim i hekurt i okupatorit nuk e izoloi UÇK-në, përkundrazi e shpërndau atë edhe më fortë në çdo shtëpi, në çdo lagje dhe në çdo cep të Kosovës. Por, ndërsa sytë e botës ishin te Prekazi, ne këtu në Kamenicë e dinim se liria kërkonte krahë edhe në lindje të vendit. Kamenica nuk mbeti spektatore. Bijtë tanë më të mirë, ata që lanë mërgimin, studimet e punët e ndryshme, rrokën armët për t’u bërë garda e pakalueshme në shumë zona operative e në veçanti në atë të Karadakut”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera i pari i komunës tha se Kamenica i dha luftës çlirimtare strategë, luftëtarë të guximshëm dhe njerëz të palëkundur dhe se ne krenohemi me emrat e dëshmorëve tanë, me djemtë e vajzat që nuk kursyen asgjë.
“Të nderuar qytetarë, sot, kur hyjmë në këtë sallë apo kur ecim në rrugët e qytetit tonë, ne duhet të pyesim veten: A po e ndërtojmë Kamenicën që ëndërruan dëshmorët? Liria nuk është thjesht mungesë e luftës. Liria është shkolla më e mirë për fëmijët tanë, është mjeku që na shëron, është rruga e asfaltuar dhe është drejtësia për secilin. Andaj si Kryetar i Komunës, zotohem se çdo ditë pune në këtë institucion do të udhëhiqet nga fryma e sakrificës së marsit. Ne kemi borxh ndaj prindërve të dëshmorëve që të kujdesemi për këtë tokë me po aq dashuri sa bijtë e tyre. Në këtë përvjetor, ne i përulemi me respektin më të thellë çdo veterani të UÇK-së që ecën sot në rrugët tona, çdo invalidi që mban në trup shenjat e lirisë dhe çdo familjeje që ka një zbrazëti në tryezë, por një mal krenarie në shpirt”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Edhe përfaqësuesi i OVL-UÇK-së dega në Kamenicë, Milaim Limoni, në këtë mbledhje theksoi rëndësinë e “Epopesë së UÇK-së”, duke thënë se ajo nuk është vetëm një datë kalendarike por është simbol i sakrificës, qëndresës dhe e vendosmërisë së popullit tonë për lirinë.
“Është kujtimi i përjetshëm i flijimit të familjes Jashari në Prekaz në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, i cili me familjen e tij u bë themel i lirisë sonë. Sot me përultësi dhe respekt përulemi para të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për atdheun, ndaj invalidëve që mbajnë në trup plagën e luftës dhe para çdo veterani që kontribuoi në rrugën tonë drejt lirisë. Si OVL ndjejmë përgjegjësi të madhe që kjo sakrificë të mos harrohet kurrë. Ne e kemi për obligim moral dhe kombëtar ta ruajmë këtë të vërtetë historike dhe ta përcjellim tek brezat e rinjë frymën e atdhedashurisë dhe ta mbrojmë dinjitetin e luftës sonë çlirimtare”, është shprehur ai.
Në fund mbledhja është mbyllur duke përkujtuar të gjithë të rënët për lirinë e vendit.








