Hyseni: Gjilani dëshmoi se është qendër e hapur ndaj vlerave evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
Është mbyllur edicioni i 26-të i “Javës së Frankofonisë” në Gjilan me shfaqjen “Gënjeshtra” (Le Mensonge) në Teatri i Qytetit.
Kryetari i komunës, Alban Hyseni, tha se sivjet Gjilani ishte “Kryeqytet i Frankofonisë”, duke dëshmuar se është një qytet i hapur, modern dhe i gatshëm për bashkëpunime të mëdha ndërkombëtare.
Shfaqja “Le Mensonge” e autorit francez Florian Zeller, nën regjinë e Ekrem Sopjanit, solli një performancë të shkëlqyer nga trupa e Teatrit të Gjilanit, duke bashkuar artin skenik vendor me dramaturgjinë bashkëkohore franceze.
“Kjo javë ka qenë një festë e vërtetë e kulturës dhe diversitetit në qytetin tonë. Përmes filmit, muzikës dhe teatrit, Gjilani dëshmoi edhe një herë se është një qendër e hapur ndaj vlerave evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Hyseni, duke falënderuar artistët dhe qytetarët që e bënë edicionin e 26-të të paharrueshëm.
