
Humbjet e Trustit dhe rritja e çmimeve – kush po i mban sytë mbyllur
Në një periudhë sfiduese për ekonominë e Kosovës, kur qytetarët përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës dhe me paqartësi për të ardhmen e tyre financiare, dy ngjarje me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien publike nga shumë të tilla po kalojnë pothuajse pa debat serioz.

Humbjet e theksuara të Trustit Pensional të Kosovës dhe rritjet e vazhdueshme si kjo e fundit e tarifave të energjisë elektrike nga ZRRE me 16%. Të cilat janë çështje me ndikim afatgjatë, që do të prekin secilin qytetar – por për ironi të fatit, ato po anashkalohen në diskursin publik.
Në vend të këtyre temave, hapësirat mediatike dhe agjendat politike janë të zëna duke u marr me pazare politike, diskutime për emra dhe poste – kush do të bëhet Kryetar i Kuvendit: Fatmir Limaj, Mimoza Kusari apo Glauk Konjufca? Por në fund të ditës, për qytetarin që e paguan rrymën më shtrenjtë në fund të muajit dhe i sheh se kursimet pensionale të tij ose saj po i pakësohen, këto debate janë larg realitetit dhe halleve të përditshme të qytetarëve.
Trusti pensional, rreziku që po i nënshtrohet heshtjes
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i cili menaxhon mbi 2 miliardë euro të kontribuuesve kosovar, është investuar gjerësisht në tregjet ndërkombëtare. Deri këtu gjithçka është në përputhje me praktikat ekonomike globale, por ajo që është shqetësuese është mungesa e transparencës dhe komunikimit institucional mbi humbjet e fundit që shkojnë në qindra miliona euro. Kjo nënkupton që mijëra qytetarë e kanë parë vlerën e kursimeve të tyre të bjerë ndjeshëm dhe për këtë, askush nuk po jep llogari se çka është duke ndodhur.
Në një shtet me funksionim normal, një zhvillim i tillë do të ngriste diskutime serioze në të gjitha forumet e mundshme, në media dhe në mesin e ekspertëve të fushave relevante. Do të kërkoheshin analiza, strategji të reja investimi dhe masa mbrojtëse për kapitalin e kontribuuesve. Por në Kosovë, kjo çështje trajtohet si një lajm kalimtar e periferik. Qytetari mbetet në terr informativ, i pasqaruar, i pambrojtur dhe në pasiguri totale për të ardhmen e vet pensionale.
Rritja e tarifave të rrymës, rritë zinxhirin e varfërisë
Nga ana tjetër, vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë për 16% është një tjetër goditje e drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset. Rritja e çmimit të energjisë nuk është vetëm një rritje e izoluar, ajo krijon një efekt zinxhir që prek të gjitha produktet dhe shërbimet: nga buka, vezët dhe qumështi, e deri te transporti dhe çdo aktivitet ekonomik që lidhet me energjinë elektrike.
Qytetarët kanë nevoj për mbrojte nga institucionet e shtetit, të cilat duhet të dalin me një plan qeveritar për të mbështetur kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë përballë kësaj rritjeje. Ku duhet të ketë masa kompenzuese për familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe punëtorët me paga minimale.
Institucionet shtetërore duhet ti njoftojnë qytetarët se cili është plani afatgjatë i politikës energjetike në Kosovë ose a ka një plan të tillë? Nëse nuk i ofrohen këto sqarime publikut kosovarë, atëherë institucionet përgjegjëse në vend janë të pa sinqerta, të padijshme ose janë të kapura nga oligarkia!
Ku është fokusi ynë?
Kur një shoqëri ndodhet në një situatë ku humbja e kursimeve pensionale dhe rritja e kostos së jetesës nuk zënë vend në debatin kombëtar, ndërsa pazaret për poste politike bëhen temë kryesore, atëherë kemi një zhvendosje alarmante të vëmendjes nga thelbësorja te sipërfaqësorja.
Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për një debat publik të përqendruar në çështjet ekonomike dhe sociale që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Kemi nevojë për përfaqësues politikë që i japin përparësi transparencës, përgjegjësisë dhe mirëqenies së përgjithshme e jo vetëm kalkulimeve për pozita dhe pushtet.
Nëse nuk reflektojmë sot, nesër do të jetë vonë për t’u ankuar. Sepse të heshtësh kur të preket mirëqenia, është njësoj si të pranosh që ajo të nëpërkëmbet.
A.J
