Gjilani forcon masat parandaluese kundër fruthit, drejtoresha Kadriu: “Prioritet mbrojtja e çdo fëmije”
QKMF dhe Qendra Rajonale e Shëndetit Publik dakordohen për plan strategjik për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar.
GJILAN, 17 Tetor 2026 – Për shkak të rritjes së rasteve të fruthit në nivel vendi, institucionet shëndetësore në Gjilan kanë forcuar masat parandaluese.
Me iniciativë të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit, u mbajt një takim pune mes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, menaxhmentit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare – QKMF dhe shefit të vaksinimit në QKMF.

Gjatë takimit u vlerësua situata epidemiologjike aktuale. Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik prezantoi të dhënat dhe theksoi se gjendja me fruthin te fëmijët paraqet shqetësim serioz.
“Gjendja epidemiologjike lidhur me fruthin te fëmijët paraqet shqetësim serioz në nivel vendi, si dhe në Komunën e Gjilanit. Pavarësisht se rastet mbeten të izoluara, nevojitet vigjilencë e shtuar dhe veprim i koordinuar institucional”, u tha në takim.
Duke marrë parasysh rrezikun e përhapjes dhe ndërlikimet që mund të shkaktojë kjo sëmundje infektive, pjesëmarrësit u dakorduan për hartimin e një plani strategjik veprimi.
Plani parashikon masa konkrete për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim, intensifikimin e fushatave informuese dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Drejtoresha e QKMF-së, Mimoza Kadriu, ka theksuar se fokusi kryesor mbetet shëndeti i fëmijëve.
“Prioritet i institucioneve shëndetësore mbetet parandalimi i përhapjes së fruthit dhe sigurimi i mbrojtjes shëndetësore për çdo fëmijë. Vaksinimi përbën masën kryesore parandaluese”, deklaroi drejtoresha Kadriu.
Ajo ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për prindërit:
“Apelojmë te të gjithë prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, në rast të vaksinimit të paplotë, të kontaktojnë shërbimet përkatëse të vaksinimit në QKMF dhe QMF-të e Komunës së Gjilanit”.
“Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur përballë një sëmundje që mund të parandalohet përmes vaksinimit”, përfundoi Kadriu.
Drejtoria për Shëndetësi ka konfirmuar se në bashkëpunim me institucionet shëndetësore do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit.
