Gjilan – Polici Ron Shkodra nderohet me mirënjohje për përkushtim dhe profesionalizëm në detyrë
Zyrtari policor Ron Shkodra është nderuar me mirënjohje nga Policia e Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kryerjes së detyrës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjilan.
Sipas njoftimit të kësaj njësie, Shkodra (PK #10253) është vlerësuar për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë muajve janar dhe shkurt 2026, si pjesë e ekipit patrullues “C”.
Në arsyetimin e mirënjohjes thuhet se ai ka dëshmuar përkushtim, vullnet dhe profesionalizëm të lartë në realizimin e detyrave policore, veçanërisht në përdorimin dhe menaxhimin e pajisjeve teknologjike për evidentimin dhe shqiptimin e gjobave digjitale në komunikacionin rrugor.
Gjithashtu, është vlerësuar edhe gatishmëria e tij për të ndarë njohuritë profesionale me kolegët e ekipit, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit në punë.
Mirënjohja është ndarë më 5 mars 2026 nga komandanti i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjilan, kapiteni Florim Klaqi, i cili theksoi se përkushtimi i tillë paraqet shembull pozitiv për kolegët dhe për gjeneratat e ardhshme të policisë.
Sipas vlerësimit të bërë nga njësia përkatëse, angazhimi i zyrtarit policor Shkodra kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
