Gjilan: Kryetari Alban Hyseni thekson mbështetjen e palëkundur për personat me autizëm dhe familjet e tyre
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, u shpreh se ky është një moment reflektimi për të gjithë qytetarët, për të rritur mbështetjen dhe për të thyer barrierat e paragjykimit.
Ai theksoi se çdo hap drejt pranimit është një hap drejt një shoqërie më të drejtë dhe më njerëzore.
“Mbështetja jonë për personat me autizëm dhe familjet e tyre mbetet e palëkundur”, tha Hyseni.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, riktheu përkushtimin e vazhdueshëm për të ofruar kushte dinjitoze, qasje të barabartë dhe shërbime gjithëpërfshirëse për çdo individ me autizëm.
Ajo nënvizoi se autizmi nuk është pengesë për potencialin e individit, por një thirrje për më shumë mirëkuptim, durim dhe përfshirje nga shoqëria.

Kadriu shtoi se Drejtoria e Shëndetësisë bashkëpunon me institucionet, profesionistët dhe organizatat e shoqërisë civile për të fuqizuar shërbimet ekzistuese dhe për të krijuar mundësi të reja për mbështetje, rehabilitim dhe integrim në komunitet.
Në këtë ditë të rëndësishme, qytetarët u ftojnë të tregojnë solidaritet dhe mirëkuptim, duke kontribuar në ndërtimin e një komuniteti më gjithëpërfshirës, ku secili individ vlerësohet dhe respektohet për atë që është.
