Gjilan: Komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së FSK-së, nënkolonel Arben Avdyli – mirënjohje drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, Afrim Cana
Komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Arben Avdyli, ka vizituar Drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, të cilit i ka ndarë një mirënjohje në shenjë falënderimi për bashkëpunimin ndërinstitucional.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, u shpreh se është nder dhe kënaqësi të pranojë këtë mirënjohje nga Komandanti i FSK-së, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është një prioritet dhe se shërbimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë pacientëve është një obligim dhe mision i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, Komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së FSK-së, nënkolonel Arben Avdyli, e falënderoi Drejtorin Cana për bashkëpunimin e ofruar dhe për gatishmërinë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa herë që ato janë të nevojshme, duke theksuar se Spitali i Përgjithshëm në Gjilan gjithmonë ka qenë korrekt dhe profesional në ofrimin e këtyre shërbimeve.

