Faton Maloku i bashkohet ekspeditës së Kosovës – fluturon me “Dardanët” e Kombëtares për në Qipro
Portieri i FC Drita nga Gjilani, Faton Maloku, i është bashkuar kontigjentit të ekipit të Kombëtares së Kosovës që ka fluturuar gjatë ditës në Qipro, shkruan Tv Gjilani.
Maloku një kohë të gjatë ishte portiri në pritje në notesin e selektorit Foda, i cili e ftoi që t’i bashkohet ekspeditës së ekipit të Kosovës për ndeshjen e së hënës në kryeqytetin qipriot – Nikozia.
Kujtojmë që ftesa në adresë të portierit Maloku ka ardhur pas përjashtimit të portierit Arianet Murici, bashkë me Edon Zhegrovën e Florent Muslijin, të cilët, sic u potencua në një njoftim në faqen e FFK-së, kishin “thyer rregullat”, e që jozyrtarisht u mësua se ndërlidhet me prezencën e tyre në një lokal nate gjatë mbrëmjes së të shtunës.