Eurovision 2026 – Alis me “Nan” në gjysmëfinalen e dytë, zbulohet data kur do të këndojë në “Austria Arena”
Shorti i hedhur të hënën në sallën historike të Bashkisë së Vjenës (Wiener Rathaus) ka përcaktuar se artisti nga Shqipëria, Alis, fitues i Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, do të ngjitet në skenë në Gjysmëfinalen e Dytë.
Kjo do të thotë se kënga “Nan” do të performohet mbrëmjen e së enjtes, më 14 maj 2026.
Edhe pse nata e performancës është përcaktuar, renditja e saktë (numri i kodit të votimit) nuk është vendosur ende. Kjo renditje do të përcaktohet në një moment të dytë nga producentët e shou-t (ORF) dhe do të miratohet nga EBU, për të garantuar rrjedhshmëri dhe dinamikë televizive të spektaklit.
Përballja me rivalët dhe ndarja në vazo
Përpara shortit, Shqipëria ishte vendosur në Vazon 1, së bashku me fqinjët rajonalë (Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria) dhe Zvicrën. Kjo ndarje bëhet për të shmangur votimin gjeopolitik ose fqinjësor brenda së njëjtës natë.
Me përfundimin e shortit, Alis do të ketë përballë një konkurrencë të fortë për të siguruar biletën e finales së madhe.
Kalendari i Eurovizion 2026
Tashmë që shorti përfundoi, data-baza e festivalit në Vjenë është e qartë:
Gjysmëfinalja e parë: E martë, 12 maj (ora 21:00).
Gjysmëfinalja e dytë (Nata e Shqipërisë): E enjte, 14 maj (ora 21:00).
Finalja e Madhe: E shtunë, 16 maj.
Në këtë edicion jubilar të 70-të marrin pjesë 35 transmetues publikë. Përveç gjysmëfinalistëve, në garë janë automatikisht vendet e “Big 4” (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar) dhe vendi pritës, Austria. Shorti i sotëm përcaktoi gjithashtu se në cilën prej dy netëve gjysmëfinale do të kenë të drejtë vote audiencat e këtyre vendeve të kualifikuara automatikisht.
Kënga “Nan” u shpall fituese e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH në vitin 2025, duke i dhuruar artistit Alis një moment të paharrueshëm. Ai komentoi emocionet e fitores, duke e cilësuar atë si realizimin e një ëndrre të madhe. /RTSH


