
Entusiazëm te Drita para ndeshjes vendimtare në Luksemburg
Kampioni i Kosovës, FC Drita, është duke përjetuar atmosferë pozitive para ndeshjes kthyese ndaj Differdange, që zhvillohet të martën mbrëma në Luksemburg, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Champions League.

Klubi nga Gjilani ka njoftuar se ka përmbyllur stërvitjet përfundimtare një ditë para ndeshjes.
“Në kuadër të përgatitjeve intensive, klubi ynë FC Drita sot zhvilloi stërvitjen e fundit, një ditë para ndeshjes së rëndësishme. Energjia dhe entuziazmi i ekipit ishte në nivele të larta”, ka shkruar Drita në faqen zyrtare.
Skuadra kosovare kishte fituar 1-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur.
Në rast se arrin të kalojë skuadrën nga Luksemburgu, Drita në raundin e dytë do të përballet me klubin danez Copenhagen.
