Ekranizimi i letërsisë: Aspekte krahasimtare ndërmjet romanit “Prilli i thyer” dhe filmit brazilian “Abril Despedaçado”
Nga: Shpresë Mulliqi
Abstrakt: Në mënyrë të përgjithshme mbretëron një mendim se, pjesa më e madhe e letërsisë së mirë me vështirësi “përkthehet” në gjuhë të filmit ngase në formën e vetë burimore është e determinuar dhe përmbyllur. Por, në film, nuk është e vështirë që ta njohim shkrimtarin e shquar. Filmi dhe letërsia janë dy mediume artistike të cilat bashkëfunksionojnë me shumë sukses ndërmjet veti. Dramatizimi i një vepre letrare dhe përshtatja e saj për mediumin e filmit, para së gjithash është një akt kulturologjik. Në këtë punim do të përpiqemi që, përmes romanit “Prilli i thyer” të shkrimtarit Ismail Kadare të arrijmë ta konstatojmë se, përshtatja e një vepre letrare dhe se si funksionon mënyra e diskursit të marrëdhënieve ndërmjet artit dhe estetikës, respektivisht të sistemit kreativ të transferimit ndërmjet këtyre dy zhanreve artistike dhe cili është niveli i këtij komunikimi me publikun. E gjithë kjo është mbështetur tek teoria e Bella Ballaz (Bella Ballazs) i cili thotë se një krijimtari letrare duhet shikuar si material bazë për tu transponuar nga skenaristi. Pra, letërsia ofron material bazë për përshtatje filmike për të krijuar forma të reja pamore si dhe përmbajtje tematike.
Gjuha e filmit apo ringjallja e botës tjetër të një vepre letrare
Sipas letërsisë filmat janë një bashkëveprim i konsoliduar. Andaj dhe numri i veprave letrare që janë ekranizuar është i konsiderueshëm dhe ka sjellë projekte të jashtëzakonshme filmike. Mirëpo, nëse do ta perifrazonim Alfred Hiçkok (Alfred Hitchcock) mund të thuhet edhe se, nuk është e domosdoshme që një libër të jetë shumë i mirë për ta bërë realizimin e një filmi të suksesshëm. Hiçkoku e thotë se: “Mund ta realizojë një film shumë të mirë nga një libër i keq. Ndërsa mund ta punoj një film të shkëlqyeshëm edhe nga një libër tejet mesatar, por, është e vështirë që kjo të bëhet nga një libër shumë i mirë ngase ai film, përjetësisht do të ‘vuaj’ nga krahasimet që i bëhen me veprën origjinale”[1]. Rastet më të mira për ta verifikuar këtë është filmi “Iku me erën” (“Gone with the wind”) i Margaret Miçëll (Margaret Mitchell) një roman epik dhe i dashurisë që kishte bërë bujë tek publiku dhe i cili erdhi tek publiku i kinemasë me po të njëjtin emër, me aktorët Kler Gabel dhe Vivien Li e në regji të Viktor Fleming (Victor Fleming) i cili, të thuash në të gjitha anketat e dhjetë filmave më të mirë të historisë së kinemasë ndodhet në top dhjetëshen e më të mirëve. Por, problemi është se, sikundër e thotë edhe Alfred Hiçkok (Alfred Hitchcock), intensiteti i krahasueshmërisë se a është më i mirë romani apo filmi, nuk kanë pushuar kurrë.
Ka edhe raste që ndonjë film të jetë shndërruar në letërsi, por kjo, të thuash asnjëherë nuk ka rezultuar me sukses. Ta themi, këtë fat e kishin romani “Amarkord” (“Amarcord”) të cilin, si bashkautor e nënshkruajnë Federiko Felini (Federico Fellini) dhe Tomino Guera (Tomino Guerra)2, si dhe versioni edhe jo aq i suksesshëm letrar i filmit të Bernardo Bertoluçit (Bernardo Bertolucci) “Tangoja e fundit në Paris” (“Last tango in Paris”), me Marlon Brandon dhe Maria Shnajder (Maria Schneider) të shkruar nga Robert Eli.
Ajo që mund të thuhet është se, që nga zanafilla e artit kinematografik veprat letrare kanë ushtruar një ndikim të fuqishëm tek regjisorët dhe skenaristët, duke e shpërfaqur mundësinë e jashtëzakonshme që, me gjuhën e filmit, të ringjallet bota e veprës letrare[2]. Megjithëkëtë, kjo shtysë dhe ky motivim nuk kanë qenë njëdrejtimësh meqë edhe filmi ka ushtruar një ndikim kyç, mbi strukturën dhe shpirtin e letërsisë bashkëkohore, posaçërisht nëpërmjet montazhës, respektivisht përmes paraqitjes diskontinuitive të hapësirës dhe të kohës, si dhe të ndërthurjes me njëra-tjetrën.
Në mënyrë të përgjithshme mbretëron një mendim se, pjesa më e madhe e letërsisë së mirë me vështirësi “përkthehet” në gjuhë të filmit ngase në formën e vetë burimore është e determinuar dhe përmbyllur. Por, në film nuk është e vështirë që ta njohim shkrimtarin e shquar. Kjo do të vlente, ta themi për Mario Pucon (Mario Puzzo), autorin e romanit “Kumbara“ (‘The Godfather’) nëse atë vepër e ekranizon një regjisor i madh, siç, në rastin konkret ishte Frensis Ford Kopola (Francis Ford Coppola). Bile, nëse do të shkojmë më larg në historinë e filmit atëherë, një shembull të këtillë e gjejmë që në kohërat më të hershme të kinemasë tek dyzimi artistik i regjisorit dhe skenaristit Tarkovskit (Andrei Tarkovsky) dhe shkrimtarit Stanislav Lemit (Stanisław Lem) tek filmi brilant “Solaris”[3], apo edhe në rastin e Tomas Manit dhe të Lukino Viskontit në filmin “Vdekjes në Venedik”. Ndërsa, për sa i përket letërsisë shqiptare, pak a shumë këtë e gjejmë tek ekranizimi i trefishtë i romanit të Ismail Kadaresë, “Prilli i thyer”, në variantin franko-amerikan me po këtë emër (apo ‘Avrill brise’, fren.) në regji të regjisores shqiptaro-franceze, Liri Begeja; pastaj edhe tek filmi “Të paftuar” i punuar nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, në regji të Kujtim Çashkut dhe me skenar të Ismail Kadaresë, dhe, së fundmi, edhe në variantin brazilian të realizimit të këtij filmi, me titull “Abril Despedaçado” (ang: ‘Behind the sun’ – shq. ‘Mbrapa diellit’) me regji të Walter Salles.
Marrëdhënia ndërmjet fimit dhe letërsisë
Marrëdhënia ndërmjet artit kinematografik dhe letërsisë është pjesë e një debati të vazhdueshëm i cili nuk shterron asnjëherë. Madje, edhe ithtarët më ortodoks të teorisë së „filmit të pastër“, apo më mirë thënë i filmit i cili duhet të jetë më shumë një spektakël vizual se çfarëdoqftë tjetër, nuk mund ta shmangin apo edhe ta mohojnë rëndësinë dhe ndikimin e madh që ka ushtruar letërsia tek filmi[4]. Ngase ai, pra filmi, para së gjithash, mbështetet tek skenari i cili, në një interpretim të estetëve francez të filmit nuk është gjë tjetër veçse edhe vetë një krijimtari letrare. Arsyeja për këtë konstatim mbështetet edhe tek fakti se, janë disa dekada, nëpër botë (më pak te ne), që skenarët e filmave të mëdhenj edhe botohen dhe kanë lexues. Nga ana tjetër, e tërë situata ndërlikohet edhe më shumë dhe bëhet më komplekse, pikërisht nëse do ta marrim parasysh faktin se një numër jashtëzakonisht i madh i filmave të ekranizuar janë ndërtuar pikërisht mbi krijimtarinë letrare dhe kjo krijon një ndërlidhshmëri dhe ndërlikueshmëri më të madh në këtë marrëdhënie intermediale të dy krijimtarive.
Sipas suksesit, ekranizimet mund të ndahen në dy nivele:
I pari – realizimi i një filmi të mirë, apo edhe shumë të mirë nga një vepër letrare të dobët apo edhe mesatare (e përmendëm thënien e mësipërme të Alfred Hiçok) e që bëhet fjalë për diçka që ndodhë, por që s’është gjithaq e shpeshtë. Ta themi i këtillë është filmi amerikan “Out of Africa” (në shqip: ‘Afrika ime’) i xhiruar në vitin 1985 me regji të Sidni Pollak (Sidney Pollack). Ky film është realizuar sipas filmit autobiografik të autores daneze Karen Bliksen (Karen Blixen) të cilin e kishte nënshkruar me pseudonimin Isak Dinesen. Realisht libri i Blixen as së afërmi nuk e kishte arritur nivelin e komunikimit e as të sukseseve të filmit[5]. Kështu mund te flitet edhe për filmin “Urat e kontesë Medison” (‘The Bridges of Madison County’)[6] skenarin e të cilit e punoi Riçard Lagravaneze (Richard La Gravenese) dhe e realizoi në vitin 1995 regjisori Klint Istvud (Clint Eastwood), i cili që është punuar në bazë të romanit me të njëjtin emër të Robert Xheims Uoller (Robert James Waller). Një shembull tjetër që mund ta sjellim këtu mund të jetë filmi “The Notebook” i punuar sipas romanit me të njëjtin emër të Nikollas Sparks (Nicholas Sparks) i cili trajton një tregim dashurie të ushtarit, të kthyer nga Lufta e Dytë Botërore, i cili, në pamundësi për ta gjetur dashurinë e tij të madhe të para 15 vjetëve duhet të kalojë nëpër një reminishencë kujtimesh mbi marrëdhënien që kishte me të dikur; verën romantike që e kaluan së bashku, e kjo deri në çastin kur nuk e ritakon atë[7]… Sipas shumë kritikëve dhe lexuesve ky libër është mjaft i mirë, por filmi është ai që në mënyrë marramendëse e ka rrëmbyer publikun. Skenarin për këtë film e ka shkruar Jeremy Leven sipas përshtatjes së Jan Sardi. Po ashtu, në këtë vargan mund të sjellim edhe filmat si, vesterni “Shkëmb i njëmendët” (‘True Grit’), sipas regjisë, skenarit dhe montazhit të Vëllezërve Coen dhe me producent Stiven Spillberg (Steven Spielberg). Film tjetër është filmi “Parfumi”, sipas regjisë të Tom Tajkllër (Tom Tykwer) i cili ishte ko-skenarist bashkë me Endrju Birkin (Andrew Birkin), dhe Brnend Ishinger (Bernd Eichinger), bazuar në romanin e Patrik Suskind (Patrick Süskind), me të njëjtin emër.
I dyti – është ai që ka të bëjë me filma të cilët janë ndërtuar mbi prozën letrare, por që kanë qenë shumë më pak të suksesshëm se sa letërsia. Të këtillë, mund të jenë: librit “Heri Poter dhe urdhri i Feniksit” (‘Harry Potter and the Order of the Phoenix’) i J. K. Rolling (J. K. Rowling). Ka mendime se Dejvid Jejts është diçka vërtetë e keqe që i ka ndodhur sagës mbi Hari Poterin. Dy filmat pararendës mbi aventurën Hari Poterit, që ishin punuar para filmit “Hari Poter dhe guri filozofik” (“Harry Potter and the Philosopher’s Stone”) si dhe “Hari Poter dhe oda e sekreteve” (“Harry Potter and the Chamber of Secrets”) kishin lënë një përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku i kinemasë, duke iu falënderuar regjisorit Kristofer Kolambasit (Chris Columbus), i cili prozën e Rouling e kishte sjellë aq bindshëm dhe pastër në kinema sa që perceptimi ishte i njëllojshëm me vetë librin. Ekziston një mendim se Jejtsi vazhdimin e filmit e ka bërë vetëm për ata që e kanë lexuar librin, gjë që ishte një lëshim i madh ndaj dhe, sipas tij ishte e kuptueshme për publikun se çfarë do të thonë të gjitha skenat e “hedhura” aty mund të kuptoheshin për nga domethënia e tyre. Gjithashtu “Heri Poter dhe urdhri i Feniksit” nuk ishte i vetmi dështim në kolonën e filmave mbi heroin global të letërsisë dhe të kinemasë, ngase është edhe një vëllim i kësaj sage, “I burgosuri i Azkabanit” (‘Harry Potter and The Prisoner of Azkaban’), që ishte një dështim i plotë kinematografik. Po kështu mund të flitet edhe për filmin “Hobit”, që është një trilogji kinematografike filmave fantast e punuar sipas veprës me të njëjtin të autorit të shquar “Kryezoti i Unazave” të Gjon Ronald Rojl Tolkien (John Ronald Reuel Tolkien). Dështime të këtilla konsiderohen edhe mjaft filma të tjerë.