DKA në Gjilan pret profesorin Nevzat Isufi, të nominuar për çmimin “Shaban Jashari”
Drejtori i Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka pritur në takim profesorin Nevzat Isufi, i cili ishte nominuar nga Komuna e Gjilanit për çmimin prestigjioz Çmimi “Shaban Jashari”, që ndahet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Gjatë pritjes në ambientet e DKA-së në Gjilan, drejtori Rexhepi vlerësoi lart kontributin e profesor Isufit në fushën e arsimit, duke theksuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tij në edukimin e shumë gjeneratave të nxënësve ndër vite.
Postimi i plotë i Jeton Rexhepit:
Sot, në ambientet e Drejtorisë Komunale të Arsimit, patëm kënaqësinë të presim profesorin Nevzat Isufi, i nominuar nga komuna jonë për çmimin prestigjioz “Shaban Jashari”.
Puna, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij janë dëshmi se misioni i mësuesit mbetet një ndër misionet më të shenjta dhe më të rëndësishme në shoqëri. Përmes dijes, edukimit dhe shembullit personal, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në formimin e shumë gjeneratave të nxënësve.
Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe në emrin tim personal, shpreh mirënjohjen e sinqertë për kontributin e tij të çmuar në arsim, duke i uruar njëherazi suksese të mëtejme në rrugën e tij profesionale.
