
Cikloni “mbërthen” rajonin tonë!
Vranësira të dendura kanë përfshirë shumë pjesë të Shqipërisë sot herët, ndërsa në Kosovë pati edhe intervale kohore me diell, megjithatë vranësirat “pushtuan” edhe Kosovën vonë pasdite dhe në mbrëmje ku lokalisht pati reshje shiu.

Gjatë orëve të ardhshme pritet të ketë intensifikim të reshjeve të shiut dhe në Shqipëri priten valë reshjesh të dendura shiu sidomos në perëndim dhe jug të vendit ku lokalisht do të ketë edhe shtrëngata me bubullima.
Reshje shiu do të ketë edhe në Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe së fundi edhe në Luginë të Preshevës. Më së pakti reshje priten në juglindje të Maqedonisë së Veriut dhe veriperëndim të Malit të Zi.

Më së shumti reshje priten lokalisht në jug dhe perëndim të Shqipërisë dhe në pjesët qendrore dhe lindore po ashtu, por jo në të gjitha zonat.
Cikloni nga Mesdheu do të shkaktojë ulje të temperaturave, por jo shumë të theksuara.
Reshjet nuk do të ndodhin pa ndërprerje, por ato do të jenë të herëpashershme, ndërsa cikloni gradualisht lëviz në viset tona duke u dobësuar dhe përmbushur plotësisht. Reshje lokale shiu nganjëherë edhe paksa më intensive priten herë pas here edhe të shtunën, kurse të dielën presim stabilizim gradual të motit.
Një masë ajrore anticiklonike nga Kontinenti largon reshjet dhe vranësirat nga viset tona të, por një tjetër ciklon të dielën përfshinë Greqinë me reshje dhe rrebeshe të dendura shiu. Ky ciklon do të rrijë larg viseve, por mund të ndikojë në motin në jug dhe juglindje të Shqipërisë me reshje të pakta kalimtare./MeteoBallkan
