Ceremonia e hapjes së Klinikës Ligjore “Mbrojtja Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia” në UKZ
Në Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt ceremonia e hapjes së Klinikës Ligjore me temën “Mbrojtja Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”, në kuadër të bashkëpunimit me UNHCR dhe CRPK.
Kjo klinikë ligjore organizohet nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të Universiteti Publik Kadri Zeka dhe ka për qëllim fuqizimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të fakulteteve përkatëse, në fushën e të drejtës ndërkombëtare të azilit, mbrojtjes së refugjatëve dhe personave pa shtetësi, duke kombinuar ligjëratat akademike me përvojën praktike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të UNHCR-së, CRPK-së, Dekan, profesorë të fakultetit dhe studentë të cilët theksuan rëndësinë e kësaj klinike si një mundësi të veçantë për zhvillimin profesional të studentëve dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e të drejtave të njeriut.

Profesori Prof. Dr. Dukagjin Leka i cili bëri hapjen e ceremonisë, theksoi se këtë vit klinika do të ndiqet nga studentët e Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale, duke e cilësuar si një mundësi të vlefshme për përfitim akademik dhe praktik. Ndërsa përfaqësuesi i CRPK, Memli Ymeri, nënvizoi se ky është viti i tretë i realizimit të klinikës në bashkëpunim me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke përfshirë ligjërata, simulime praktike dhe vizita studimore.

Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, u shpreh se klinika do të trajtojë çdo javë tema të rëndësishme nga fusha e azilit dhe të drejtave të njeriut, duke ofruar një qasje të integruar teorike dhe praktike. Ajo theksoi se kjo nismë kontribuon në përgatitjen e juristëve të aftë për tregun e punës dhe sfidat reale profesionale.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi se kjo nismë paraqet një mundësi të rëndësishme për studentët, duke u mundësuar atyre përfitim të drejtpërdrejtë nga ligjëratat dhe praktikat profesionale që ofron klinika ligjore.

Programi i klinikës përfshin tema si Konventa e Gjenevës e vitit 1951, Protokolli i vitit 1967, legjislacioni i Bashkimit Evropian për azilin, drejtësia kalimtare, procedurat për statusin e refugjatit dhe personave pa shtetësi, si dhe simulime praktike të rasteve reale. Po ashtu, parashihen edhe vizita të organizuara në Qendrën e Azilit në Magure dhe sesione interaktive me studentët.

Ceremonia përmbyllëse e klinikës do të mbahet në muajin maj 2026, ku studentët pjesëmarrës do të pajisen me certifikata.
Kjo iniciativë vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes ndërkombëtare
