Anton Nikë Berisha: BOTË QË PËRFILLET KËNDSHËM NGA FËMIJËT OSE E PARËNDOMTA QË MERRET SI E RËNDOMTË
BOTË QË PËRFILLET KËNDSHËM NGA FËMIJËT OSE E PARËNDOMTA QË MERRET SI E RËNDOMTË.
( Parathënie për krijimtarinë letrare të shkrimtarit për fëmijë, Ali Huruglicës, e cila së shpejti vjen e kompletuar përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”).
Shkruan: Dr. Anton Nikë Berisha
“Libri i mirë për fëmijë është ai që mund të shijohet, pa kufizime e pa rezerva, edhe nga të rriturit. Nuk vlen për fëmijë gjithë ajo që është shkruar për të rritur, mirëpo krejt ajo që është shkruar për fëmijë duhet të vlejë edhe për të rritur në qoftë se është vepër e artit ”.
Benedetto Croce (Benedeto Kroçe)
I.
Letërsia për fëmijë – art i fjalës
Letërsia për fëmijë është pa dyshim pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e artit të fjalës. Në rrjedhën e gjallimit të vet ajo u krijua dhe vazhdon të krijohet, të lexohet dhe të bëjë ndikim të dukshëm estetik në lexuesin, po njëherit dhe të bëhet objekt shqyrtimesh të ndryshme, qoftë nga studiuesit e letërsisë, qoftë nga ata të fushave të tjera, si arsimore, edukative e pedagogjike .
Letërsia për fëmijë është e rëndësishme për shumë arsye, po këtu po përmend faktin se janë shumë shtëpi botuese që sot botojnë vepra të shumta nga kjo letërsi. Po ashtu, veprat e saj janë lekturë e detyrueshme shkollore dhe se letërsia për fëmijë mësohet si lëndë e veçantë në shumë shkolla të larta dhe në fakultete.
Edhe në botën tonë letërsia për fëmijë është mjaft e pranishme në jetën letrare e shkollore dhe në veprimtarinë botuese. Në të vërtetë, secili autor që merret mirëfilli me studimin e letërsisë shqipe, me shtresat dhe me llojet e saj, e ka vështirë ta shmangë letërsinë për fëmijë dhe rëndësinë që ka kjo brenda artit letrar që shkruhet në gjuhën tonë dhe të ndikimit që bën te marrësi.
Për këtë arsye njohja e veçantive dhe e veprave të saj shtrohet si detyrë e rëndësishme jo vetëm për ata që merren drejtpërdrejt me studimin e saj, për ata që e japin si lëndë mësimi në rrafshe të ndryshme, po dhe për marrësin në përgjithësi. Them kështu duke u mbështetur në faktin se letërsia jonë për fëmijë, qoftë si sasi, qoftë si cilësi, nuk mbetet prapa letërsisë sonë për të rritur, dhe pse deri më tash ajo nuk është përfshirë në asnjë histori të letërsisë shqipe , duke u vënë në rend të dytë dhe duke e përjetuar të ashtuquajturin “përjashtim të madh ”.
Njëri ndër njohësit dhe studiuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë, Paul Hazard, vinte në dukje se “Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet ”, ndërsa shkrimtari Xhusepe Fançulli (Giuseppe Fanciulli) e përcakton letërsinë për fëmijë si një mjet (mënyrë) për formimin e njeriut qysh në fillim të jetës së tij: “Letërsia për të rinj […] është një instrument i formimit njerëzor; është pasqyrë dhe shprehje e një fëmijërie e caktuar të formojë shoqërinë e së nesërmes. E para së gjithash një mjet i sigurt për arritjen e mirëkuptimit e të paqësimit midis popujve ”.
Veprat letrare për fëmijë janë të rëndësishme për shkak se në to, siç ngjet dhe në letërsinë për të rritur, dukuritë shqiptohen përmes gjuhës poetike, figurshmërisë, simbolikës dhe metaforikes, që përcaktojnë cilësitë e tekstit, komunikimin dhe ndikimin estetik. Ky është një nga qëllimet kryesore të çdo krijese letrare, e cila duhet të lexohet e të merret (receptohet) si vepër poetike e jo si fakt historik , pa marrë parasysh se në cilën shtresë ose lloj letrar do të krijohet.
Natyrisht, vepra letrare e mirëfilltë për fëmijë, i shpreh dhe i përligj në mënyrë përkatëse, para së gjithash, veçantitë e botës së fëmijëve, që janë sa të mëvetësishme, aq edhe tërheqëse . Tek fëmija ngjizën dhe dëshmohen çështje të rëndësishme, konkrete e përfytyruese, që janë burimi dhe baza e jetës së njeriut si qenie.
II.
Realiteti dhe përfytyrimi
Kur flitet për letërsinë për fëmijë (që vlen dhe për letërsinë për të rritur) duhet thënë se një varg shkrimtarësh, sidomos poetë, në veprat e tyre të rëndomtës i dhanë dhe i japin cilësinë dhe përmasën e të parëndomtës, me qëllim që dukuritë të shqiptohen në mënyrë sa më të veçantë dhe më të thellë. Të tjerët vepruan dhe veprojnë në mënyrë të kundërt: në veprat e tyre të parëndomtën e shprehin në atë mënyrë sa ajo lë përshtypjen, përfillet si e rëndomtë, siç ndodh në përditshmëri.
Shkrimtari ynë për fëmijë, Ali Huruglica, autor i 13 përmbledhjeve me poezi, një përmbledhje me proza poetike (tregime të shkurtra) dhe një romani, hyn në të dy grupet, sidomos në të dytin, ku bota e shprehur përmes tekstit poetik që e përfton, lë përshtypjen e realitetit konkret, e veprimeve dhe e synimeve që fëmijëve u ndodhin në përditshmëri.
Huruglica parapëlqen që në veprën e tij letrare, sidomos në poezi, ta bëjë objekt të vështrimit poetik të parëndomten që do t’i zgjojë kureshtjen dhe do t’ia tërheqë vëmendjen fëmijës, ta nxitë që ai të jetë aktiv dhe të mundë të komunikojë në mënyrë shumësore me atë që shprehet përmes tekstit. Kjo gjë përkon dhe e shpreh botën e fëmijës në mënyrë më të plotë e më tërheqëse. Mirëpo, edhe kur i shqipton veprimet konkrete, autori u jep një përmasë të parëndomtës; përfytyrimi dhe imagjinata bëhen pjesë e pandashme e atij realiteti që përftohet. Pra, në veprën letrare të Huruglicës s’ka kufij të mirëfilltë midis botës konkrete dhe asaj përfytyruese, siç s’ka kufi midis njerëzve, kafshëve, shpendëve dhe trupave qiellorë. Kjo botë e përftuar dëshmohet, funksionon dhe ndikon si botë e njësuar dhe tërësore në tekst, po përjetohet dhe përfillet si reale. Përmes tekstit autori krijon edhe forma të ndryshme të lojës e të argëtimit, me ç’rast komunikon gjallërisht me fëmijët dhe depërton thellë në fshehtësitë e botës së tyre.
Në poezi Huruglica synon të shkëputet nga format tradicionale të vjershërimit për fëmijë, qasjes, perceptimit të dukurive, po dhe të shtjellimit të tekstit. Ai përpiqet që poezia e tij të jetë një përafrim me jetën e fëmijëve, po dhe me gjakimet dhe përfytyrimet e tyre, të shprehë një botë të ndërliqshme që jetësohet në tekstin letrar poetik dhe ndikon si e tillë më fuqishëm.
Mirëpo, duhet thënë se ky autor nuk i braktis përbërësit e letërsisë së traditës. Kështu në disa sosh ndihet të shprehurit dhe vargu i poezisë sonë gojore.
Është e njohur se letërsia gojore me llojet e saj i ka prijë letërsisë së shkruar. Të përmend këtu vetëm rëndësinë dhe rolin që pati përralla gojore për prozën e shkruar dhe për rrëfimin poetik në përgjithësi, siç pati thënë Navalisi: “Përralla është, të thuash, një formë e poezisë. Çdo gjë poetike duhet të jetë përrallore. Poeti e adhuron këtë. Në një përrallë të mirë gjithçka duhet të jetë e mrekullueshme, misterioze dhe kundërshtore; gjithçka nxitëse. Gjithmonë në mënyrë të ndryshme […] Bota e përrallës është saktësisht e kundërta e botës së të vërtetës dhe pikërisht për këtë (arsye) i përngjan shumë, siç i përngjan kaosi krijimit të përkryer ”.
Huruglica i shqipton dhe vë komunikim me dukuritë dhe idetë e ndryshme, sidomos përmes pyetjeve, pra, nuk i jep përparësi asaj që ai mendon. Kjo nënkupton se i lë lexuesit të përcaktohet se ç’përgjigje të mundshme do të japë në mënyrë që vetë ai (lexuesi) të bëhet vetvetiu pjesë e synimeve dhe e kuptimeve të tekstit.
Kështu, për ta shprehur rëndësinë e shiut për bimët dhe pemët poeti e përdor metaforën krahu i rrushit, pra shiu e bën rrushin të “fluturojë” dhe kokrrat e tij i shndërron në diçka të mrekullueshme:
— Kësi krahu s’m’ka pa syni,
Shkëlqen në kokrra si florini.
— Mos janë gurë xhevahiri,
Sy drenushe, a sy nane?
— Mos janë rreze që lëshon dielli,
Yje te vegjël, a tela hane?
(Krahu i rrushit)
ose pyetjet që e nxitin marrësin të mendojë thellë e thellë për të dhënë përgjigje. Për këtë arsye them se pyetja në tekst bëhet më e rëndësishme se sa pohimi, pa marrë parasysh figurshmërinë e shprehjes.
N’mendim t’thellë ka ra pylli:
— Pse si verës s’po qesh dielli?
Pse udhëtojnë ret’ poshtë – përpjetë,
pse era me kosë ecë ndër fletë?
Çka ka bylbyli që tash s’këndon,
mos ia ka vjedhë ndokush sharkinë,
mos ia ka ngucë ndokush fëminë,
mos asht sëmue diku në mal
e tash e kanë çue diku në spital ?!
(Pylli në vjeshtë)
Pyetjet që i bën Huruglica në tekstin e vet janë sa të pazakonshme po aq dhe të rëndësishme. Në qenësinë e tyre ato të vënë para mëdyshjeve të mëdha, po edhe para mundësive të shumta, të thuash të pafund, të përgjigjeve.
Mos asht dielli
Syni i nanës?
Mos asht ylberi
Kordela e hanës?
Mos asht liqeni
Pasqyra e yllit?
Mos asht livadhi
Shtrati i diellit?
(Kush mundet me e dijtë?)
Botën që shprehet në poezinë e tij e bëjnë: njerëzit, kafshët, shpendët, natyra e dukuritë e saj, pastaj vendlindja (poezisë së tij ngjyrë i jep Gollaku), atdheu (Gji i nënës është ky dhé).
Një lloj programi i konceptit letrar krijues të autorit është vjersha Ngjyra e këngës sime nga përmbledhja “Qershia me çadër”, ku autori thotë se kënga e tij është e blertë, me ngjyrat e fluturës, me ngjyrën e zërit të zogut dhe me ngjyrën e vendlindjes së tij. Të gjithë këta përbërës plotësohen dhe shkrihen natyrshëm në njëri – tjetrin dhe bëjnë një botë tërësore shprehëse komunikuese.
Poeti, siç u tha, i vështron sidomos dukuritë dhe gjërat e parëndomta, po që zgjojnë kureshtjen, interesimin dhe përfilljen nga fëmijët si pjesë të botës së tyre: këndon për këngën e erës (Zani i zamares), për krahët e rrezes, për buzëqeshjen e hënës, ylberi i fal shelnjës një kordel,¸luledielli bisedon me diellin, retë u kanë hypur kuajve të erës dhe i kalërojnë, lulishtja është çerdhja e këngës së tij, hëna zbret në brirët e drerit, shpendi këndon këngën e luleve, nga buzëqeshja e fëmijës lind kënga e poetit, kulumria u shtron pije (në brirë të drerit) hënës dhe zogut etj. Pra, gjakon të jetë sa më i veçantë në atë që e bën objekt vështrimi poetik, duk u dhënë veçantinë e shpirtit e të ndjeshmërisë së vet, ku dallohen: dashuria, mirësia, mirëkuptimi dhe flijimi për tjetrin.
Dy format e shqiptimit të botës, e rëndomta dhe e parëndomta, përafrohen, gërshetohen dhe njësohen në mënyrë të natyrshme sa lexuesi i merr si një botë me vete. Për të dëshmuar këtë, po sjell tre shembuj.
I pari: ecja në trotuar, kur poeti e takon fëmijën duke buzëqeshur, është pamje që mund ta takojmë çdo ditë, ndërsa pjesa tjetër i përket të parëndomtës, përfytyrimit, ku të shprehurit figurativ lartësohet dhe bëhet qenësi e tekstit: më buzëqeshi (fëmija) si lule, më përshëndeti me zë bilbili, ndërsa në zemër i këndon një shend i bardhë. Vargu i fundit në vend që ta përmbyllë pamjen, bën të kundërtën: i jep përmasën e pafundësisë: “Dhe në ballë më çeli trëndafili”:
Sot duke ecur nëpër trotuar
M’u afrua një fëmijë
Duke buzëqeshur si lule
Më përshëndeti me zë bilbili
Në zemër më këndoi një shpend i bardhë
Dhe në ballë më çeli trëndafili.
(Përshëndetja e një fëmije)
Në shembullin e dytë, në mënyrë të thuash të ngjashme, në pjesën e parë perceptohet dhe shprehet realiteti konkret, ndërsa në pjesën e dytë ai përfytyrues, imagjinativ: kthjelltësia e ujit të liqenit është si pasqyra e syve të tyre, ndërsa drerët dhe zogjtë e kanë (liqenin) si pasqyrë.
N’bjeshkën tonë të gjanë asht nji burim
Ai, o biri im, ka ujin ma të mirë:
Asht sikur syni yt sikur syni im —
Atë drejt dhe zogjt e kanë si pasqyrë…
(Burimi)
Në të tretin gërshetimi i dy botëve bëhet dhe më i veçantë: konkretësia përligjet përmes pështjellakut të nënës (pjesa e fundit), ndërsa e parëndomta përmes faculetës së diellit dhe shamisë së hënës:
Cilës çupëz kordela prej flokëve i ka ra?
Kordelën e saj — mbi mal e kam pa.
Mos ka qenë facoleta e diellit,
Mos ka qenë shamija e hanës,
apo ndoshta pshallaku i nanës?
(Kordela)
Përmes vështrimit të parëndomtës së dukurive Huruglica synon të shtojë kureshtjen dhe përqendrimin e fëmijëve; të mendojnë në mënyra të ndryshme për dukuritë që ata ballafaqohen ose do të ballafaqohen më vonë në jetë. Pamjet që po i sjell në vijim e dëshmojnë këtë në mënyrën të mirëfilltë.
Xixëllojat i kallën dritat e neonit
T’shohin lulet me qendisë fustana…
Nesërmbrana, n’livadh afër kronit
Do të mbahet revyja e verës …
Kush ta qepë fustanin ma të bukur
Nji gjilpanë të artë
Ka me ia dhurue hana…
(Cila do ta fitojë dhuratën)
Sonte-zog krahëshkruem u bana
Dhe rashë në krah të qershisë,
Puplat e mija me ar m’i praroi hana
E puhija më përkundi si djepin e fëmisë.
(Sonte)
Fytyrën e ka la me rreze të diellit,
Flokët i ka krehë me krahën të erës,
N’ballë ka lidhë nji kordele si të qiellit
Dhe e ka veshë fustanin e pranverës…
(Çupëza e livadhit)
Dukuri që janë mjaft të pranishme dhe vështrohet në mënyra të ndryshme në poezinë e Huruglicës, janë fëmija dhe fëmijëria. Këto janë të ndërlidhura ngushtë dhe e plotësojnë njëra – tjetrën. Të dyja përligjin kohën e pabrenga, të përfytyrimeve, të dëshirave dhe të synimeve të pafund.
Dhe tue këndue me violinë,
Si në djep të fëminisë,
(Saraji i sedeftë)
Gollak,
Pashë zërin e çiftelisë sate
Ruajma
Këngën dhe lojën fëmijërore!
(Kënga e dhjetë
Fëmija si qenie, si individ, ka rëndësi të shumëfishtë; bota e tij është e pafund dhe e mrekullueshme. Prej fëmijës rrjedh (buron) shumëçka, edhe gjërat më magjepsëse.
Prej buzëqeshjes sime
Fushën e kaplon blerimi
(Fëmija)
Në sy të fëmijës
Lind kënga e agimit,
Në sy të fëmijës
Flen bukuria e blerimit […]
Në sy të fëmijës
Mëshihet bukuria e detit,
Në sy të fëmijës
Djepin e ka kënga e poetit.
(Në sy të fëmijës)
Po kështu, në poezitë e tij bëhet objekt poetik ëndrra (Ëndrra e ka shportën e argjendtë), ku liria e veprimit dhe e përfytyrimit është sa e veçantë, aq dhe e pakufi. Brenda botës së ëndrrës gjërat vështrohen dhe shprehën në lirinë, pakufishmërinë dhe pafundësinë më të skajshme. Në të njësohen botët dhe kohët e ndryshme madje dhe kundërshtore. Pra, krijohet ajo botë që fëmijës i bën përshtypje të madhe, po dhe e pushton në mënyrë të vetvetishme dhe të thellë.
Andrra i ka dhe kuajt e artë
I ka atllarët ku janë ma të mirë,
Natën mbi ta i hyp fëmijët
Dhe i shëtit kah të kenë dëshirë…
(Andrra e ka shportën e argjentë)
Poezia e Huruglicës është e qetë, e hareshme, nxitëse; mbjell gëzim, mirësi e prehje tek ai që e lexon. Pra, mënyra se si autori e përfton tekstin dhe si i drejtohet marrësit, e përcakton qëndrimin ndaj tekstit dhe shumësinë e mendimeve që mund të dalin prej tij.
Kur më përqafon bija ime Vera,
në qiell qeshin tre ylbera;
tre peshq t’artë lahën në liqej
e kuajt e gëzimit
nëpër livadhe të blerta lodrojnë pa frej …
(Përqafimi)
Kënga me krah të erës
Me këmishë t’ylbertë
kur dielli e veshë,
lulja e gëzueme
nisë e buzëqeshë.
(Kur qesh lulja)
Siç mund të vërehet përmes tekstit autori përfton një botë të pasur, të veçantë dhe të mrekullueshme, ku buzëqesh edhe hëna, dëgjohet edhe kënga e diellit, pëllumbat heqin vallen e gëzimit, shpendi e këndon këngën e luleve etj.
Duhet thënë se herë – herë, tekstin e cilëson një kuptimësia, pra, qëllimi del pandërmjetësisht, nuk i lihet mundësia lexuesit që të “përpëlitet” në shumësinë kuptimore për t’u përcaktuar pastaj për atë që përkon me shpirtin dhe shijen e tij. Shpesh mbi peshon ajo që rrëfehet sesa mënyra (mjeshtëria) si rrëfehet, mbi peshon ajo që thuhet, e jo ajo në ç’mënyrë thuhet. Mirëpo, në këso rastesh veçantia dhe komunikimi mbërrihet përmes tërësisë së pamjes që përftohet në rrafshin e makrostrukturës, përshtypjes dhe ndikimit që bën ajo.
Prej buzëqeshjes sime
Bukurinë e merr trëndafili,
Këngën poeti
Dhe melodinë bilbili.
(Fëmija)
Atëherë, në krahët tuej të gjanë
Zogu i bardhë ka me e dalldisë sharkinë.
E natën, në ballin tuej kanë me ra yjt me hanë
Dhe pyllit edhe ma shumë keni me ia shtue bukurinë.
(Kanga e prronit)
Poeti dhe kënga
Poeti dhe kënga në poezinë e Huruglicës janë të njësuara. Poeti e krijon këngën, poezinë, kënga, poezia e dëshmon poetin, frymëmarrjen dhe veprimin e tij. Poeti e krijon poezinë për veten e për tjetrin, siç thoshte Poradeci: “Artisti i madh krijon për vete” dhe është “Tjetër punë, pastaj, nëse krijimi i tij na kënaq edhe neve ”, për njeriun kudo që ndodhet dhe në cilëndo kohë që jeton dhe vepron. Arti i shprehur (i dëshmuar) në tekstin e përftuar i jep këngës (poezisë) së tij bukurinë dhe rëndësinë. Këtë na e thotë ai vetë:
nga zemra
unë
e nxjerr
poezinë
këngën
për ty
o njeri,
e në këngë
poezi
ka bukuri
dashuri
e njerëzi.
(Dora e poetit)
Kënga e poetit Huruglica lind nga zemra, nga shpirti, është frymëmarrja e tij, po ajo e ka djepin në sytë e fëmijës. Aty e ka burimin frymëzimi, nisma e hartimit të këngës dhe e funksionimit të saj. Janë fjalët dhe mendimet që dalin prej tyre dhe e dëshmojnë bukurinë e këngës dhe përmes ndikimit estetik e pasurojnë marrësin shpirtërisht.
Këtë bukuri të shprehur me fjalë, poeti e ndërton pikërisht për fëmijët, në sytë e në shpirtin e të cilëve gjallon një botë e pafund.
Me ngjyrat e ylberit
Që buzëqeshi mbi livadh
E thura këtë këngë
Që secili fëmijë që do ta këndojë
(Kënga e ylbertë)
Kënga e poetit e ka burimin edhe në buzëqeshjen e fëmijës, nxitet nga hareja dhe lumturia e tij, që ai e dëshmon në lojë së bashku me fëmijët e tjerë:
Prej buzëqeshjes sime
Bukurinë e merr trëndafili,
Këngën poeti
Dhe melodinë bilbili.
(Fëmija)
Pikërisht për këtë arsye edhe goca (guaca) e detit e ka ruajtur margaritarin për poetin (shih poezinë Pulëbardha) në mënyrë “Që me ta t’i stolisësh kangët e fëmisë”. Pra, me atë margaritar poeti i thurë vargjet e veta, këngë të gëzimit dhe këngë të ylberta.
Mirëpo, poeti frymëzohet për këngët – poezitë e veta edhe nga lumturimi i fluturave krahëshkruara, që hedhin valle nëpër luadhe.
Me lumturinë e fluturave krahëshkruara
Që nëpër livadhe ngrehin valle
E thura këtë këngë
Që secili fëmijë që do ta këndojë
(Kënga e ylbertë)
Poeti lumturohet pa fund kur kënga – poezia i merr krahët e erës dhe shpërndahet e mbërrin tek sa më shumë njerëz e fëmijë.
Oh, sa rritet zemra ime
kur i merr kënga krahët e erës
e vrap në zemrat e njerëzve të tokës sime
kudo këndojnë zogjtë e pranverës.
(Këngë e florinjtë)
Edhe vesa është ngjyra e këngës së poetit. Për këtë arsye këngën e tij ua dhuron fëmijëve, ndërsa ata pastaj atë ua dhurojnë të tjerëve, sidomos nënave të tyre, të cilat shndërrohen në shpendët më të bukur.
Këngën poeti ia fali fëmijës,
Këngën fëmija ia këndoi nënës
Dhe nëna u shndërrua
Në shpendin më të bukur.
(Këngë e argjendtë)
Për të dëshmuar rëndësinë e këngës (poezisë) së vet, të këngës së fëmijëve ose të shpendëve, Ai mëton të jetë sa më i natyrshëm dhe i veçantë, të jetë sa argëtues, aq edhe nxitës, dhe i dobishëm.
Brenda poezisë së Huruglicës dallohen dy kurora poetike, ku autori u përmbahet rregullave metrike dhe saktësive të kurorës sonetike klasike. Në të parën shqiptohet Princi i trëndafilave, që simbolizon prototipin e një udhëheqësi të mirësisë, të mirëqenies, të njerëzores, ashtu siç kishte vepruar Fishta dhjetëvjetësha më parë me veprën “Jerina ase Princesha e luleve ”. Princi i trëndafilave të Huruglicës është “shpendi i shpresës”, “Era të miklon me krahë të bilbilave”, ku shpendi i shpresës “N’ballë ta lëshon yllin shkëndij’”, ndërsa në shtegtimin e tij princit do t’ia falë shpatën Skendërbeu:
LUNDRO, lundro me barkë të artë
nëpër liqenin e argjendtë të vesës
Skënderbeu ty ta fal shpatën
dhe ty, o trim, të hyp mbi at
Kurora sonetike “Princi i trëndafilave” është një vepër poetike e lartësuar që ka dalë nga mendja dhe shpirti krijues i Huruglicës.
Në kurorën e dytë sonetike “Ngjyra e këngës sime” objekt vështrimi poetik është Kosova, rrjedha e fatit të saj, ku argumentimi historik zëvendësohet me realitetin përfytyrues, imagjinativ. Për poetin Kosova është “Vesa jote është ngjyrë e këngës sime” në zemër e në mendje “ujin tënd e kam gjak”, “Buka jote e bardhë më jep fuqinë”, po edhe “era e trëndafilave të tu më përtrin”. Pra, autori përdor faktin poetik e jo atë historik, edhe pse brenda tekstit përmenden toponime dhe figura historike si Sharri, Karadaku, Dukagjini, Gollaku, Drini, Trepça, pastaj Bajram Curri, Emin Duraku, Idrizi (Seferi), Zefi (Lush Marku) etj.
Po e sjell të plotë sonetin nr. IX për të dëshmuar cilësinë poetike të tekstit dhe mënyrën e lartësuar të ndërtimit të realitetit poetik.
Era e trëndafilave të tu më përtrin
sikur barin dora e pranverës
edhe hidhërimin nga balli ma shkrin
sikur dielli borën në krah të ferrës.
Bukuria jote më jep fuqi e më rrit
sikur dielli e uji bimën e re
rrezja jote mua m’i çel sytë
veç unë, veç… e di sa e madhe sa e bukur je…
Plot gaz e gëzim e kam shtëpinë
se zogu yt i bardhë, ndër male
për mua derdh këngën – melodinë.
Vjet kam shumë. S’jam plak
vrapoj sikur dreri, aspak më ngadalë
ti më jep ujë, ujin tënd e kam gjak.
(Nga Ngjyra e këngës sime)
III.
Huruglica prozator
Aftësinë e krijuese poetike Huruglica e dëshmoi edhe në lëmin e prozës për fëmijë, duke na lënë trashëgim një përmbledhje me proza poetike (tregime të shkurtra) “Xhita me yll” (1972) dhe një roman (mund të quhet edhe novelë e gjatë) “Shkurtabiqi zemërartë” (pa datë botimi).
Edhe në këtë fushë ai përftoi tekste që vënë komunikim gjallërik me fëmijë dhe të rinj, po dhe me të rritur. Dukuritë që i bën objekt vështrimi poetik janë kryesisht ato të poezisë. Mirëpo, sidomos në prozat poetike shprehen përmes një rrëfimi të menduar mirë dhe të saktë; zbaton një qasje dhe shqiptim të larmishëm dhe poetikisht të lartësuar. Dallohen të shprehurit poetik të dendur e të dendësuar dhe pamje poetike të pasura.
Në prozat poetike “Xhita me yll” Hurugliaca rrëfen për fluturat, për gurrën, për drerin, për zogun e bardhë, për pyllin, për ushtarin e Skënderbeut etj.
Në këto krijesa me fjalinë e parë preket dukuria për të cilën do të rrëfejë autori.
Ajo që i cilëson këto proza të shkurtra është gjuha poetike që përdor autori për ndërtimin e tekstit. Pra, përmes të shprehurit figurativ krijohet një realitet i veçantë, skajshmërish përfytyrues dhe imagjinativ: Ylberi ia fal Lulushit ngjyrat e veta me të cilat ai pastaj e ndërton xhitën e vet; trëndafili ua stërpik flokët fëmijëve me erën e tij të mirë, me violinën e argjendtë gurra ua këndon ninullën e vet lisave të vegjël, fytyra e hënës është plot gaz dhe i përngjan lulediellit në mes të arës.
Fjalitë e shkurtra dhe mendimet e shumta që dalin prej teksteve të këtyre prozave poetike bëjnë një mozaik të mëvetësishëm, që si tërësi shndërrohet në një krijesë tërësore me vlerë. Janë të shtjelluara me kujdes, edhe në rrafshin e mikrostrukturës, edhe në rrafshin e makrostrukturës.
Disa nga këto proza janë shtjelluar përmes dialogut me fjali të shkurtra e të sakta, po kuptimisht shumësore.
Po sjell dy shembuj për ta lënë që teksti të “flasë” vet, t’i dëshmojë veçantitë dhe vlerat si art.
TRËNDAFILI
Fusha e veshi duvakun e agimit. Nëpër krahët e barit nisën të vizëllojnë krahoshët e xhevahirtë. Zogu hypi në majë të plepit dhe me violinë nisi të këndojë melodi të blerta.
Trëndafili e çeli syrin, shikoi andej këndej dhe kur e pa tërë atë bukuri, menjëherë i shpaloi krahët e kuq. E çeli shishen e kristaltë, të cilën e mbante në gji, dhe nisi të derdhi parfum me grushta. Era e mori parfumin e saj dhe e shpërndau nëpër kopshtije dhe fusha
Tërë kopshtit, fushës dhe fshatit i vinte era trëndafil
E kur e panë fëmijët, u kapën dorë për dorë, shkuan afër trëndafilit dhe nisën të vallëzojnë
Trëndafili të gjithë fëmijëve ua stërpiku flokët me erën e tij të mirë. Edhe fëmijët tash dukej se u bënë trëndafila…
DRERI
Me violinën e argjendtë gurra ua këndonte ninullën lisave të vegjël. Era ngadalëz, ngadalëz i përkundte. Gjumi ia arrini me qerren e artë dhe lisat fjetën. Menjëherë ia nisën të ëndërrojnë ëndrra të blerta.
Mbi kodër doli hëna. Fytyra e saj ishte plot gaz. I përngjante lulediellit në mes të arës.
Dreri i vogël sapo e pa, menjëherë vrapoi kodrës përpjetë. E kur arrini në majë, hëna ia praroi brirët me ar dhe në secilin bri ia vari nga një yll. Ia mikloi ballin dhe i tha:
Tash shko kah të kesh dëshirë!
Dreri u gëzua. E falënderoi hënën dhe tërë natën e lume luajti nëpër pyll.
— Kësi dreri, tha gurra, s’ka në asnjë mbretëri!
Në romanin “Shkurtabiqi zemërartë” Huruglica shpreh një realitet të dyfishtë: veprimin e përditshëm të banorëve të katundit Dardhishtë të Gollakut, ku njerëzit janë skajshmërisht të varfër sa “Ne çdokush na ka harruar! Dreqi e hëngërt jetën tonë” dhe veprimin imagjinativ, që i mundëson autorit të përftojë një realitet të veçantë dhe për ta përmbushur qëllimin: ndërprerjen e varfërisë së atyre njerëzve.
Gjuha poetika që përdor autori në këtë prozë është më e kufizuar dhe më e përvuajtur se e prozave poetike dhe e pjesës më të madhe të poezive. Pohimi dhe qëllimi i veprimit të personazhit kryesor, Shkurtabiqit Zemërmirë, pastaj të Kokërrmelit, të Zogu Sqepartë, të Merimanga Këmbëlehtë, po dhe të banorëve të Dardhishtës dhe të gjallesave të tjera, vërehet qartazi.
Romani është ngritur mbi modelin e përrallës dhe e përligj në mënyrën të mirëfilltë mendimin e Novalisit për këtë krijim gojor, të përmendur në fillim të kësaj parathënie.
Ky roman i Huruglicës vetvetiu të kujton disa romane të prozatorëve tanë për fëmijë “Lugjet e Verdha ” të Rexhep Hoxhës, “Pilivesa e Kokërrmeli”, “Dita e xhufkave ” të Rifat Kukajt, “Shpella e piratëve” e Petro Markos etj.
Romani fillon me shqiptimin e një realiteti konkret; jetën e banorëve të katundit Dardhishtë, të cilët gjallojnë me vështirësi të mëdha, për t’i lëshuar vendin pastaj botës së përrallës, ku përfytyrimi dhe imagjinativja bëjnë qenësinë.
Një realitet i tillë mundëson plotësimin e synimeve dhe të dëshirave nga më të ndryshme dhe më të parëndomta, që në përditshmëri nuk mund të përmbushen. Mirëpo, autori i ka gërshetuar dy botët duke krijuar një botë tërësore dhe të mëvetësishme që si e tillë ekziston vetëm në tekstin e hartuar përkatës. Natyrisht, autori fut në tekstin e vet edhe ndonjë përbërës që nuk është i përrallës gojore të traditës, si telefoni, po gjithçka tjetër e përrallës, si lloj (model) tashmë i njohur, është e pranishme.
Shkurtabiqi Zemërartë – Kokërrmeli, vihet në kërkim të zbulimit të arit me qëllim që t’u ndihmojë banorëve të varfër të Dardhishtës. Në këtë aksion fisnik dhe thellësisht njerëzor, bashkohen dhe Zogu Sqepartë, Merimanga Këmbëlehtë (dhe me ndihmën e fenerit magjik të Xixëllonjës) ia dalin ta përmbushin qëllimin – gjetjen e arit dhe ndarjen e tij banorëve. Në këtë veprim të rëndësishëm ndërtojnë në katund dhe shkollën si vatër e dijes dhe e arsimit.
Mënyra e përftimit të tekstit nga autori dhe vetë rrëfimi në roman janë të rëndomtë; përdoret një gjuhë poetikisht e kufizuar, ku qëllimi shfaqet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Autori nuk e ka përdor gjuhën simbolike të përrallës për t’i dhënë veprës së tij një përmasë tjetër poetike dhe komunikuese.
Botimi i kompletit të veprave të Ali Huruglicës – poezi e prozë – nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit e drejtuar nga shkrimtari ynë i shquar, Sabit Rrustemi, pa dyshim se paraqet një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për njohjen më të mirëfilltë të veprimtarisë letrare të këtij krijuesi, por dhe për t’i dhënë vendin e mëritur letërsisë sonë për fëmijë dha artit të lartësuar që ajo paraqet brenda letërsisë sonë në përgjithësi.
Prishtinë, shtator – tetor 2024
Në foto, ballina që i prinë veprës letrare pesë vëllimëshe të Ali Huruglicës, punuar nga “Studio Venera”, me portretin e punuar nga piktori e poeti i ndjerë, Demir Behluli.