Shkruan: Shemsi Doda – FESTIVALI “DITËT E KOMEDISË SHQIPTARE” – PRESHEVË 2026 – EDCIONI XXI
Shkruan: Shemsi Doda – FESTIVALI “DITËT E KOMEDISË SHQIPTARE” – PRESHEVË 2026 – EDCIONI XXI
Nata e dytë e festivalit
“ZONJA E BUJTINËS”

Teksti: Carlo Goldoni
Regjia: Kiço Londo
Aktorët: Artemisa Kusi, Igli Fusha, Mateo Dervishaj, Anila Muçaj, Enisa Hysa, Irdon Methasani, Fjeodor XhydoIIari, Stelina Sulejmani, Shpëtim Terolli dhe Megi Bregasi.
Nata e dytë e Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare” – Preshevë XXI, Teatri shëtitës “Çajupi”solli para publikut shfaqjen teatrore “Zonja e bujtinës”.

E shkruar në vitin 1753, kjo vepër shënon një nga momentet e rëndësishme të reformimit të komedisë italiane. Goldoni, i njohur si reformator i saj, e largon komedinë nga mbështetja e tepruar në improvizim, duke i dhënë përparësi dialogut të ndërtuar, karaktereve të mirëfillta dhe situatave dramatike që pasqyrojnë jetën dhe marrëdhëniet njerëzore.
Në qendër të veprës është Mirandolina, një grua e bukur, inteligjente dhe e pavarur, e cila drejton një bujtinë në Firence. Përreth saj sillen tri karaktere të ndryshme mashkullore: Markezit të Forlipopolit, që mbështetet në titullin e tij aristokratik; Kontit të Albafioritës, që përpiqet ta fitojë përmes pasurisë dhe dhuratave; si dhe Kalorësit të Ripafratës, i cili mohon dashurinë dhe shfaq një qëndrim përçmues ndaj grave.
Mirandolina vendos t’i japë një mësim kalorësit, duke sfiduar bindjet dhe krenarinë e tij, por loja e saj merr një drejtim të papritur kur ai bie vërtet në dashuri me të.
Përzgjedhja e veprës dhe qasja regjisoriale e Kiço Londos dëshmojnë një përpjekje për ta sjellë këtë klasik të dramaturgjisë botërore përmes një trupe të re aktorësh. Kasti përballet me një shfaqje rreth 120-minutëshe, ku loja zhvillohet gradualisht dhe ndërton një mozaik karakteresh, marrëdhëniesh dhe situatash komike.

Përmes kësaj vepre vihen në pah tema universale si dashuria, krenaria, dinakëria, zgjuarsia dhe pavarësia e gruas, por edhe dallimet ndërmjet shtresave shoqërore, të shoqëruara me një kritikë ironike ndaj aristokracisë dhe privilegjeve të saj.
Një nga veçoritë e konceptit regjisorial është edhe shtrirja e mizanskenës, e cila lëviz nga brendësia e hapësirës skenike drejt publikut. Loja nis në margjinat e skenës dhe gradualisht zgjerohet, duke e afruar veprimin teatror me spektatorin dhe duke krijuar një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me të.Mangësia e shfaqjes është përkthimi mu dukt bukfal pa përshtatje e kjo e bëri që te publiku edhe unë të vinte i thatë pa atë finësën qe e ka në gjuhën origjinale të autorit.
Në thelb, shfaqja përcjell një mesazh aktual,gruaja e sotme është e aftë të jetë e pavarur, të mbrojë veten dhe të marrë vendime për jetën e saj. Mirandolina shfaqet si një figurë që nuk joshet lehtë nga titujt, pasuria apo statusi shoqëror. Siguria, zgjuarsia dhe vetëdija për vlerën e saj bëhen armët kryesore përballë tundimeve dhe pretendimeve të tjerëve.
Loja aktoriale karakterizohet nga dinamika dhe përpjekja për të ndërtuar karaktere të dallueshme. Secili prej aktorëve kontribuon në zhvillimin e kësaj komedie, ku ndërthuren shtresa të ndryshme shoqërore, dialogë të gjallë dhe situata me ngarkesë komike.

Aktrimi lëviz mes groteskut dhe modernes, duke sjellë momente që shpërfaqin potencialin dhe individualitetin e aktorëve. Megjithatë, në disa raste vërehen edhe teprime interpretative dhe momente ku intensiteti i lojës nuk përputhet plotësisht me situatën dramatike. Këto luhatje krijojnë një ritëm jo gjithmonë të njëtrajtshëm, por njëkohësisht dëshmojnë për sfidën që paraqet për një trupë të re interpretimi i një vepre me kaq shumë karaktere dhe marrëdhënie.
Skenografia është ndërtuar në funksion të zhvillimit të ngjarjeve, ndonëse shfrytëzimi i saj mbetet pjesërisht i kufizuar. Një pjesë e hapësirave dhe ambienteve sugjerohen më shumë përmes imagjinatës së publikut sesa përmes transformimeve të drejtpërdrejta skenike. Ndryshimi i ngjyrave të tapetit, për shembull, shërben si një element simbolik për të nënkuptuar kalimin nga një hapësirë në tjetrën.
Kostumet janë ndër elementet më të dallueshme të shfaqjes. Me larminë e ngjyrave dhe frymën e tyre moderne, ato largohen nga paraqitja tradicionale e veprës origjinale, duke i dhënë shfaqjes një identitet të veçantë vizual dhe një frymë më bashkëkohore.

Muzika luan një rol të dyfishtë: nga njëra anë plotëson dhe ilustron momente të caktuara të veprimit, ndërsa nga ana tjetër bëhet pjesë aktive e atmosferës skenike, duke u integruar në mënyrë të tërthortë në strukturën e shfaqjes.
Edhe ndriçimi është vënë kryesisht në funksion të veprimit skenik, me disa momente të veçanta ku dritat marrin rëndësi më të theksuar dramatike dhe ndihmojnë në nënvizimin e situatave kyçe.
Publiku e ndoqi shfaqjen me interes, duke qenë pjesë e atmosferës që krijoi kjo natë teatrore. Pavarësisht kohëzgjatjes së shfaqjes, e cila për disa spektatorë u bë sfiduese, një pjesë e publikut qëndroi deri në fund dhe e përshëndeti trupën me duartrokitje të gjata dhe ovacione.

“Zonja e bujtinës” solli jo vetëm një vepër klasike të dramaturgjisë evropiane, por edhe një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore, pushtetin, krenarinë dhe, mbi të gjitha, vendin dhe pavarësinë e gruas në shoqëri.
Një tjetër mbrëmje teatrore në Preshevë, ku komedia shërbeu si mjet argëtimi, por edhe si pasqyrë e realitetit shoqëror dhe e natyrës njerëzore.
