POLICIA E GJILANIT ORGANIZON LIGJËRATË PËR PARANDALIMIN E KANCERIT TË GJIRIT
“Ji më e fortë se çdo sfidë” – Mesazh ndërgjegjësimi nga Policia Rajonale
GJILAN, 26 tetor 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në kuadër të projektit “Me ty për shëndetin tënd”, ka organizuar sot një ligjëratë vetëdijesuese për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Aktiviteti u realizua në ambientet e Stacionit Policor në Gjilan nga Njësia e Komunitetit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit.

Fushata u mbajt me moton “Ji më e fortë se çdo sfidë” dhe iu drejtua pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Ligjërata u mbajt nga Dr. Elvana Klaiqi dhe infermierja Mimoza Kurteshi Hajdari. Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e informimit të saktë, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes si mënyra më efektive për mbrojtje.
Ky aktivitet synon të rrisë vetëdijen qytetare, të promovojë kujdesin shëndetësor dhe të përcjellë mesazhe solidariteti e mbështetje për personat e prekur nga kanceri i gjirit.
