BEFASIA NË SERBI: Vučić pranon humbjen – “Fitoi lista studentore”
“Serbia e Bashkuar” merr rreth 105 mandate, opozita mbi 135
BEOGRAD – Kryetari i Serbisë dhe mbajtësi i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vučić, ka pranuar mbrëmë humbjen në zgjedhjet e mbajtura në Serbi.
Në një adresim para anëtarëve dhe simpatizantëve në shtabin zgjedhor, Vučić tha se bazuar në mostrat e para, lista e tij ka pësuar humbje të thellë.
“Ne i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të befasohen dhe do ta kuptoni se sa kanë gënjyer disa. Ju njoftoj se, sipas mostrës së stratifikuar, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje” – tha Vučić.

Sipas tij, lista studentore-bllokuese ka dalë e para me mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa “Serbia e Bashkuar” pritet të marrë rreth 105 mandate.
Vučić shtoi se përveç tyre në Kuvend kanë hyrë edhe Hungarezët e Vojvodinës me 3 mandate dhe përfaqësues shqiptarë me 1 mandat, si dhe SDA me 1 mandat.
“Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ata rreth 2.200.000. Thonin se dikush do të arratiset, se do të fshihet. Gënjyen për gjithçka – për ‘topin zanor’, Jovanjicën… Do të luftojmë” – deklaroi ai.
Vučić përfundoi duke thënë se është krenar për gjithçka që kanë bërë gjatë mandatit.
Rezultatet përfundimtare priten të shpallen nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Serbisë.
