Shkruan, MSC Xhemail Veseli – “IDAT E MARSIT” TË SOTËM: PUSHTETI, VOTA E LIRË DHE ARDHJA E NJË FRYME TË RE
Analizë e vepres monumentale “Jul Qesarit” të Shekspirit në dritën e protestave dhe demokracisë moderne.
I. SHEKSPIRI NUK VJETROHET: PSE “JUL QESARI” FLITET SOT
Veprat monumentale të Shekspirit janë të gjithekohshme sepse flasin për esencën e jetës: pushtetin, ambicien dhe popullin.


Punoi: MSC Xhemail Veseli – Dramaturg
Punim Seminarik, 2006 | Përditësuar 2026
Ato kanë korresponduar me kohën e Nolit në Shqipëri, korrespondojnë me protestat në Evropë sot, dhe do të korrespondojnë edhe 100 vjet më tutje. Sepse pyetja është gjithmonë e njëjtë: Si ndërrohet pushteti pa e shkatërruar shtetin?
Ky punim, fillimisht i përpunuar si Seminar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2006, merr një lexim të ri sot.
II. ANALIZA E VEPRËS – BAZUAR NË TEKSTIN AUTORIAL
Shekspiri përmes “Jul Qesarit” dënon njëkohësisht edhe “diktatorin” edhe vrasësit e tij.
Siç thuhet në analizën time të atëhershme: “Nëse dikush e fillon të keqen, ai edhe do ta mbarojë atë. Posa e keqja mbaron, ajo do të fillojë nga dikush tjetër”.
Arsyeja: Të dy palët lëvizin nga ambicia personale, jo nga interesi i përgjithshëm.
Struktura dhe personazhet sipas analizës:
- Jul Qesari: Ambicioz për kurorë dhe trashëgimtarë. “Ta preknje Kalfurnjën… se beronja shkund mallkimin e moslindjes”. Emocional dhe obsesiv. Ai “luan diktatorin”.
- Kasi: “Dinak, i mençur dhe organizator i madh”. Nuk i beson askujt. Edhe Mark Antonin do ta vriste. Bën politikë të ftohtë.
- Bruti: “Shumë emocional, pa vizione të qarta, pacifist”. Gabimi fatal: i jep fjalën Mark Antonit në emër të “demokracisë”. Është “njeri i mirë por joparimor”.
- Mark Antoni: Protagonisti i vërtetë. “Politikan i përsosur. Flet kur duhet dhe heshtë kur e kërkon nevoja. Orator i mrekullueshëm”. Ai nuk përdor shpatën. Përdor fjalën dhe e fiton popullin.
Kulminacioni i dramës nuk është vrasja. Është fjalimi. Sepse aty vendoset se kush do ta ketë pushtetin pas.
III. NGA ROMA TE SOT: PROTESTAT, VOTA DHE “FRYMA E RE”
1. Mësimi i Nolit dhe Shekspirit
Është simbolike që Fan S. Noli, njeriu i revolucionit të qershorit 1924, ishte edhe përkthyesi i parë i Shekspirit në shqip: Hamleti, Makbethi, Othello, Mbreti Lir, Rikardi i III-të.
Noli e jetoi “Jul Qesarin”. Ai ishte si Bruti që tentoi ta rrëzojë “Qesarin” e kohës. Por ra.
Sepse pushteti nuk rrëzohet vetëm me ideal. Duhet edhe një rrugë institucionale.
2. Proverbi që e shpjegon ciklin
“Para revolucionit njerëzit sundonin njerëzit. Pas revolucionit, thjeshtë ndodhi e kundërta!”
Kjo është esenca. Bruti, Kasi, Kaska e vranë Qesarin për “liri”. Pas pak erdhi Oktaviani dhe bëri Perandorinë.
Lufta nuk ishte për masën. Ishte për emrat në krye.
Dhe masa, si gjithmonë, “as nuk i ka gëzuar frytet dhe as nuk do t’i gëzojë frytet e plota”.
3. Autoriteti, skadimi dhe nevoja për frymë të re
Sot ngrihet e njëjta pyetje: Kur skadon autoriteti i një pushteti?
Kur qëndron shumë, ai beson se është i pazëvendësueshëm. Ashtu si Qesari që injoroi: “Ruaju Idave të Marsit”.
Protestat e sotme janë ato “Ida të Marsit”. Nuk janë për kolltukë. Janë për të thyer ciklin.
Për të provuar diçka të re. Jo të vjetrën me emër të ri.
Por mësimi i Shekspirit është i qartë: Pa votë të lirë dhe pa një alternativë të re, protesta mbetet vetëm zhurmë.
Koha kërkon një frymë të re politike.
Jo me gjak në Senat, por me fletë në kutinë e votimit.
Sepse vetëm vota e legjitimon ndërrimin dhe ia kthen pushtetin qytetarit.
IV. PËRFUNDIM
“Jul Qesari” nuk është tragjedia e një njeriu. Është tragjedia e një cikli.
Cikli ku pushteti deh, opozita konspiron, populli brohoret, dhe në fund gjithçka kthehet nga e para.
E vetmja mënyrë për ta thyer ciklin është ajo që Shekspiri e la të nënkuptuar: Të luftosh brenda institucioneve. Të fitosh me argument. Të marrësh pushtetin me votë.
Përndryshe, siç e dinte edhe Noli, siç e dimë edhe ne sot: Drama përsëritet. Ndryshojnë vetëm aktorët.
