Këshilli i Prindërve i shkollës “Thimi Mitko” miraton planin e veprimit për vitin e ri shkollor
Diskutohet për uniformat, disiplinën dhe sigurinë e nxënësve. Mirëpritet projekti “Shkolla e Kryqit të Kuq”
GJILAN – Këshilli i Prindërve i SHFMU “Thimi Mitko” në Gjilan ka mbajtur takimin e rregullt, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me cilësinë e arsimit, sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Gjatë takimit u miratua Plani i Veprimit për vitin shkollor 2026/2027. Në fokus të diskutimeve ishin edhe përzgjedhja e uniformave shkollore, disiplina dhe vijueshmëria e nxënësve.


Një pikë e veçantë e takimit ishte prezantimi i projektpropozimit “Shkolla e Kryqit të Kuq – Ndihma e Parë” nga studenti Shkëmb Musliu.
Projekti u mirëprit nga prindërit e pranishëm dhe synon aftësimin e nxënësve për njohjen dhe zbatimin e parimeve bazë të ndihmës së parë.

Po ashtu u trajtuan çështje që lidhen me parandalimin e dukurive negative dhe me rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet shkollës, prindërve dhe nxënësve.
“Falënderojmë drejtoreshën Ardhmërie Jakupi, studentin Shkëmb Musliu dhe të gjithë të pranishmit për kontributin dhe bashkëpunimin. Së bashku për një shkollë më të sigurt dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë!” – thuhet në njoftimin e Drita Maliqi, Kryetare e Këshillit të Prindërve të SHFMU “Thimi Mitko”.
