1 Maji: Punëtorët e sektorit privat protestojnë në Prishtinë
Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka njoftuar se më 1 maj 2026, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, do të organizojë një protestë paqësore në mbështetje të të drejtave të punëtorëve të këtij sektori.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 10:00, me vendgrumbullim në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Pas grumbullimit, protestuesit do të marshojnë sipas itinerarit të paraparë deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-“Gërmia” dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i federatës, Jusuf Azemi, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe punëtorëve të sektorit privat që t’i bashkohen protestës, me qëllim të kërkimit të respektimit dhe avancimit të të drejtave të tyre.
Nga kjo federatë është theksuar se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore.
