ShML “Zenel Hajdini” krenare: Ish nxënësi Endi Sherifi vlerësohet në Ushtrinë Britanike
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Nëntoger Endi Sherifi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare.
Sherifi ka përfunduar me sukses një nga trajnimet më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, Platoon Commander Battle Course (PCBC), të zhvilluar në Brecon të Uellsit.
Për përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe aftësitë udhëheqëse, ai është vlerësuar me Mirënjohje të Veçantë nga Gjeneralmajor Carl Boswell.
Shkolla ku Sherifi kreu mësimet e shpreh krenarinë për arritjen e ish-nxënësit të saj. “Suksesi që fillon në bankat e shkollës, vazhdon në majat e arritjeve. Puna dhe përkushtimi reflektohen në vitet që vijnë,” thuhet në njoftimin e shkollës.
Sipas tyre, ky sukses është dëshmi se puna, disiplina dhe vullneti i fortë shpërblehen gjithmonë.
“Jemi krenarë për Endin dhe për të gjithë ish-nxënësit tanë që përfaqësojnë denjësisht vendin dhe shkollën kudo në botë. Ju jeni frymëzim për brezat që vijnë,” përfundon njoftimi.
