Në “Fest Flaka” iu këndua atdheut, heronjve e dashurisë
Në qytetin e atdhetarizmit, të kulturës e të qëndresës, në Gjilan, ka vazhduar Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” me Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka”, i cili ka mbledhur numër rekord shikuesish, që kanë ngjallë atmosferën në sallën e Teatrit të Gjilanit.
Një këngë kushtuar vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zekës e realizuar për mrekulli nga grupi i këngëtarëve të AKV Gjilani ka paralajmëruar një mbrëmje të veçantë, e organizuar nga AKV Gjilani në bashkëpunim me zyrën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport, program ky i përmbledhur në një program të pasur artistik, ku u veçuan tingujt, ritmet dhe shpirti artistik i traditës sonë.


Fillimisht, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, në hapje të Festivalit, ka theksuar se sivjet po shënohet edicioni i 35-të i “Flakës së Janarit”, duke nderuar veprën e heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, emra këta që na frymëzojnë dhe na udhëheqin drejt ruajtjes së identitetit tonë kombëtar.
“Gjilani edhe këtë janar shndërrohet në qendër të rëndësishme kulturore, ku takohen artistë, intelektualë dhe njerëz që e duan artin nga të gjitha trevat shqiptare, kurse komuna e Gjilanit me xhelozi e dashuri e ruajmë këtë trashëgimi kulturore – Festivalin Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” dhe me të madhe punojmë që ai të rritet dhe të pasurohet nga viti në vit”, ka thënë drejtori Kushtrim Zeqiri, që ka falënderuar artistët, organizatorët dhe vullnetarët që kontribuojnë për këtë ngjarje të madhe kulturore.

Artistë nga të gjitha trevat shqiptare e kanë nderuar këtë edicion të “Fest Flakës”, shumica prej tyre ishin fitues të çmimeve të para ndër vite. Erblin Hoxha, fitues i vitit të kaluar ka kënduar këngën “Unë ty të kam dashtë”, Lumturije Shabani është paraqitur me këngën “Veç Shqipnisë kush s’ma shuan mallin”, artisti nga Peshkopia, Eduard Hoxha u paraqit me këngën “Hajredin Pasha”, kurse “Çerçiz Topullit” i këndoi Enkelejda Arifi. Greta Azizi këndoi këngën “Rrisim jetën tonë”, Sokol Latifi u paraqit me këngën “Poçari”, Ylberinë Avdyli interpretoi këngën “O bilbil flatrat plot me vesë” e Grupi i këngëtarëve të AKV Gjilani u paraqit me këngën që i dedikohej Jakup Ferrit. Orkestra Profesionale e Gjilanit e përbërë nga instrumentistë të njohur, nën udhëheqjen e maestro Burhan Azizi i ka përcjellë edhe këngët e kënduara nga Herolinda Bucaliu – “A vritet pafajësia”, Ismet Behxheti – “Mirë se vjen o vëlla”, Mefail Ibrahimi – “Fjalët e qiririt”, Miranda Hashani – “S’pata fat të jem me ty” dhe Remzi Leka që këndoi një këngë kushtuar heroit Agim Ramadani.

Krejt kjo ngjarje e madhe e kulturës është organizuar nga AKV Gjilani me drejtorin Afrim Haziri, kurse për më të dalluarit mirënjohjet do të ndahen në Gala Mbrëmjen që do të mbahet të shtunën më 31 janar në Kompleksin “Vali Ranch”.
