
Universiteti Publik “Kadri Zeka” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Bursës në Turqi
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Drejtues, Dr. Techn. Ilir Gjinolli dhe Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në qytetin e Bursës, në Turqi.

Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe njërit prej universiteteve prestigjioze të Bursës, e cila synon forcimin e partneritetit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve.








Kjo marrëveshje hap rrugë për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si në zhvillimin e hulumtimeve dhe publikimeve të përbashkëta, aplikimin në projekte ndërkombëtare si Erasmus+ CBHE dhe Horizon Europe, si dhe akreditimin e programeve të përbashkëta studimore.
Një komponent i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është edhe mundësia e mobilitetit për stafin akademik dhe studentët, që do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimit të përvojave dhe ngritjen e cilësisë së arsimit.
Gjatë qëndrimit në Turqi, përfaqësuesit e UKZ-së zhvilluan edhe takime me drejtues dhe përfaqësues të shumë fakulteteve e njësive akademike të universitetit mikpritës, ku u diskutua për fusha të reja bashkëpunimi.
Po ashtu, ata u takuan me përfaqësues nga më shumë se 10 universitete të tjera evropiane, duke krijuar kontakte të para që pritet të hapin mundësi të reja për projekte dhe partneritete ndërkombëtare në të ardhmen.
