“Fola dhe qetësova shpirtin!…” “Autonom” si gegërishtja…
Ramiz Kelmendi (20 dhjetor 1930 – 12 janar 2017)
Në 7-vjetorin e ikjes në amshim, risjellim këtë intervistë me shkrimtarin, publicistin dhe profesorin Ramiz Kelmendi.
Ramiz Kelmendi (20 dhjetor 1030) i takon plejadës së parë të shkrimtarëve të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Autor i më se tridhjetë veprave letrare, si: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Dy rrëfime”, “Heshtja e arnëve”, “Ahmet Koshutani”, “Abrakadabra”, “Shtegtimet e mia”, “Kapuç me mëngë”, “Letra prej Ulqini” etj., janë vetëm disa nga titujt e tij voluminoz në prozë. Profesor Ramiz Kelmendi pas një karriere të gjatë gjysmëshekullore në gazetari hapi të parën shkollë private të gazetarisë (më pas Fakulteti i Gazetarisë), “Faik Konica” në Prishtinë, nga dera e së cilës dolën qindra gazetarë, që sot bartin mbi supet e tyre “barrën” e këtij profesioni! Në vitet e ashtuquajtura “të arta” të skenës teatrore në Kosovë, profesor Ramiz Kelmendi ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.
Në këtë intervistë ai flet edhe për mllefin e tij ndaj institucioneve, që nuk po i çmojnë aq sa duhet vlerat shekullore të krijuesve të profileve të ndryshme, për intelektualët, artistët e akademikët pejanë, për fillimet e karrierës tij në gazetari, për përvojat e tij jetësore, standardin gjuhësor etj.
“Metropol” – Kohë më parë ju jeni shprehur se hiqni dorë nga vendlindja, Peja. Sikur shihet një atdhedashuri e theksuar në atë ‘dorëheqje’ për vendlindjen dhe një ndjenjë për një ideal tjetër…
R. Kelmendi – Po. Duke marrë shkas nga nobelisti për letërsi, turku Orhan Pamuk, që hoqi dorë nga kombi dhe lëshoi shtetin e vet, e po ashtu dhe asgjëmangut, duke pasur parasysh edhe shkrimtarin disident Kasem Trebeshina, i cili njësoj si kolegu i tij O. Pamuk hoqi dorë nga kombi dhe kërkoi ta shlyejnë nga nënshtetësia shqiptare, jashtë çdo analogjie me vogëlsinë time, unë mora një tjetër vendim. Pas mbi tre çerekë shekulli jete dhe veprimtarie si pejan me vendlindje dhe si rugovas me prejardhje, vendosa të heq dorë edhe nga vendlindja, Peja, edhe nga prejardhja, Rugova. Me një parantezë që në krye, një si shpjegim të menjëhershëm: Pejën, qytetin tim të lindjes dhe Rugovën, vendlindjen e prindërve të mi (Drelajt e babait tim dhe Haxhajt e nënës sime), i kam dashur dhe do të vijoj t’i dua sa të jem gjallë. Sepse vetëkuptohet që me atë “dorëheqje” unë synova paksa të “qëroj hesapet” me ndonjë institucion dhe pushtetar pejan e rugovas të atyre moteve.
“Metropol” – A jeni bërë pishman për dorëheqjen? Më falni, pyetja duhet të jetë kështu: a janë bërë pishman ata që ju detyruan të ‘jepni dorëheqje’ nga vendlindja (mendoj në institucionet)? A ka ndryshuar qasja e atyre intelektualëve a pseudointelektualëve që drejtojnë institucionet ndaj vlerave gjysmëshekullore, jo vetëm tuajat, por edhe shekullore të atyre që dhanë aq shumë për këtë vend dhe këtë ditë që po e jetojmë? Shkurt, si shpjegohet tërë ai mllef e pezëm juaji për vendlindjen?
R. Kelmendi – Tërë ai mllef e ai pezëm, ai injorim i tejskajmë e ai mohim i plotë, ajo pakënaqësi dhe ajo mospërfillje deri në fyerje – të gjitha janë mbjellë e akumuluar me dhjetëra e dhjetëra vjet brenda shpirtit tim. Kështu që i përballova stoikisht në radhë të parë falë vaksinimit tim me kohë për këtë fenomen aspak qytetërues. Prandaj fola dhe qetësova, që të mos them shpëtova, shpirtin tim.
“Metropol” – Si shpjegohet që ky “vendim” juaji, megjithatë, nuk u mirëkuptua edhe nga jo pak admirues tuajt. Pati edhe të atillë që ju keqkuptuan, e madje u zemëruan në ju.
R. Kelmendi – Mbase edhe me të drejtë. U tha “nën rrogoz”, se vuajtkam nga sindroma e vetëmbivlerësimit, e prepotencës, e megalomanisë e çfarë jo tjetër. Ndërsa ndonjë më pak cinik tha: “Jo, po, me këtë letër Ramizi synoi të na bindë se është ende gjallë, se nuk është harruar dhe as e ka në mend të konsiderohet një hiç.” Ndërkaq e vërteta është kryekreje tjetër. Tërësisht e kundërt. Sa më sipër se kisha fare me veten. Aq më bënte. Unë isha pajtuar prej shumë vjetësh (mbi një gjysmëshekulli) me këtë zhvlerësim dhe injorim timin të plotë nga vendlindja. Ndonëse bëra një përpjekje në televizionin “Dukagjini” për të shpjeguar motivin e mirëfilltë pse e shkrova atë letër, sot, ndonëse me vonesë, ja ku m’u krijua mundësia të zë ngoje vetëm disa nga pejanët dhe rugovasit aq të merituar dhe pse jo, asgjëmangut edhe krejtësisht të harruar, që më detyruan ta shkruaja atë letër “famëkeqe”.
“Metropol” – A na e tregoni, pra, ndonjë nga emrat e pejanëve dhe të rugovasve që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë për jetë të jetëve nderi dhe krenaria e Pejës dhe e Rugovës?
R. Kelmendi – Po ja, të përmend vetëm ndonjë nga patriotët, doajenët, martirët dhe politikanët pejanë. P.sh.: Bedri Pejani, Emrush Miftari, Ali Kelmendi, Shaban Basha, Xhemajl Kada, Riza Sapunxhiu, Seit Meraku, vëllezërit Fetë e Sali Ukella dhe pushkatimi makabër i Sali Ukellës para fëmijëve në Parkun e Karagaçit etj. Pastaj rugovasit Zhukë Haxhia, Keri i Sadri Bajrit, amazonia, simotra e Nora Kelmendit e Shote Galicës, Bege Maliqja, e cila luftoi kundër Malit të Zi e veshur me kostume kombëtare meshkujsh, me plis e me shall, që mbante një pushkë të gjatë sa trupi i saj.
“Metropol” – Po akademikët?
R. Kelmendi – Animë akademikët! E dini sa janë? Mjafton të kujtojmë Esad Mekulin, Dervish Rozhajën, Ali Hadrin, Musa Haxhiun, Syrja Pupovcin, Osman Imamin. A ka Zot që i harron tërë këta?
“Metropol” – Po profesorët?
R. Kelmendi – Posi. Pjetër Elezi, Beqir Kastrati, Izet Bebeziqi, Koço Flloko, Memduh Begolli, Halil Agusholli, Petro Flloko, Ekrem Beqiri etj.
“Metropol” – Mos vallë ju si shkrimtar pejan harruat shkrimtarët e Pejës e të Rugovës?
R.Kelmendi – Jo, assesi. A nuk mjafton të kujtojmë edhe vetëm Esad Mekulin dhe Azem Shkrelin, me aq të tjerë?
“Metropol” – Ka dhe më?
R. Kelmendi – Ka, ka, posi. Të kujtojmë edhe aktorët dhe artistët Istref Begollin, Faruk Begollin, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Nuredin Loxhën, Melihate Ajetin, Kristë Berishën, Agush Nallbanin, etj. Pastaj mjekët Shefqet Malushi, Nexhdet Çavolli, Mustafë Loxha, Shefqet Lika etj. Se më avokati ynë më i madh dhe aderuesi i pashoq i letërsisë dhe i gjuhës shqipe, që ka ditur përmendsh “Lahutën e Malcis” së Fishtës dhe “Rubairat” e Omar Khajamit, Bajram Kelmendi? Si dhe përnjëherë pas tij Adem Bajri etj., etj. Ku janë? Ku i kemi? Si i kujtuam dhe nderuam deri sot? Çfarë bëmë e ç’kemi ndër mend të bëjmë për t’u njohur, për t’u çmuar e nderuar ndër breza e breza? Thashë e po them: si shpjegohet “harresa” e gjithë këtyre emrave aq të mëdhenj pejanë e rugovas nga vetë pejanët dhe rugovasit?! Cili nga këta u shpall “Qytetar Nderi”?! Kaq të paktën. Pa shikoni ç’po bën Gjakova duke nderuar më të merituarit e vet!
“Metropol” – Opinioni mban mend me shumë pietet sensin tuaj në artin e të shkruarit, sidomos në shtypin e kohës (sa punonit në “Rilindje”). Ç’po ndodh me Ramiz Kelmendin, që gjithnjë është njohur si ‘i ri dhe vital’? Çfarë jeni duke bërë aktualisht?
R. Kelmendi – Thua të jetë e vërtetë kjo që thua?! Uaa, sa shumë do ta lakmoja! Sidoqoftë, edhe pse sapo kam shkelur të tetëdhjetat, kam bukur do vjet që nuk pajtohem me moshën që kam. As e kam pranuar dhe as e pranoj institucionin e pensionit. Kurrë, deri edhe sot e kësaj dite këmba ime nuk ka shkelur në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë. Ç’po bëj aktualisht? Hiç. Po jetoj jetën. Edhe po vijoj ta dua…
“Metropol” – A e mbani mend shkrimin tuaj të parë? Si e kujtoni sot atë mëngjes me gazetë në dorë?
R. Kelmendi – Nuk isha as 15 vjeç, një palo progjimnazist pejan, kur i dërgova “Rilindjes” më të parin shkrim timin, ta quaj “gazetar”. Si e kujtoj sot atë mëngjes, kur e mora gazetën me shkrimin “tim”? Nga gjithë ajo mori fjalësh të mia në gazetë gjeta vetëm emrin dhe mbiemrin tim, në fund të shkrimit “tim”.
“Metropol” – Po Fakulteti juaj i Gazetarisë “Faik Konica”, pas dymbëdhjetë vjetësh a e ka arritur objektivin e tij?
R. Kelmendi – Nuk më takon mua ta vlerësoj. Po ja që prej disa vjetësh mbretëron një opinion pothuajse i përgjithshëm se një numër bukur i madh i gazetarëve më të afirmuar sot në Kosovë u “gazetarizuan” pikërisht në “Faik Konica” dhe dolën nga gjiri i tij.
“Metropol” – Meqë jeni nga të rrallët krijues që bëri aq shumë për kulturën në përgjithësi, e veçmas për teatrin (ishit edhe drejtor i Teatrit Kombëtar një kohë), a ju ka tradhtuar mbamendja për gjeneratën e artë të teatrit dhe a e keni edhe më tej guximin intelektual të bëni një paralele mes krijimtarisë së asaj kohe dhe së sotmes, apo ndoshta edhe ju i jeni nënshtruar realitetit të rremë, që po na ngulfat gjithandej, për dofarë prurjesh të reja’ në skenën teatrore?
R. Kelmendi – Po, patëm vërtet një gjeneratë të artë artistësh me nam e për çdo lavd. Të kujtojmë vetëm Katarina Josipin, Abdurrahman Shalën, Muharrem Qenën, Shani Pallaskën, Istref Begollin, Melihate Ajetin, Xhevat Qenën e shokët dhe shoqet e tyre. Ja që brenda disa vjetësh pas lufte teatri ynë pothuajse vdiq. Më shumë kishte aktorë në skenë se publik në sallë. Kohëve të fundit jo vetëm u kthye dhe sa vjen e më shumë po shtohet numri i aderuesve të Teatrit, por kanë zënë të lindin edhe aktore katariniane e aktorë gjithnjë e më të mirë, si vijues të më të mirëve të djeshëm.
“Metropol” – Ai rrëfimi juaj në tren pas Luftës së Dytë Botërore teksa kishit filluar të punonit në “Rilindje”, është brilant. Opinioni në Shqipëri mbase edhe nuk e di se si u bëtë ju “poeti më i madh dhe më i mirë shqiptar”! Si ndodhi?
R. Kelmendi – Po udhëtoja me tren – në vitet ’50 – për në Pejë. Bashkudhëtar kisha kolegun, profesorin Demush Shala, që ligjëronte në Normalen e Prishtinës. Sapo u nis treni, përnjëherë ia behu me rrëmbim në “kupe” një alamet-shtat, me revole të dukshme “Parabel”, i cili, pasi u ul, iu drejtua Demushit: “Me leje, profesor?”. Ky palo burrë, për të rrahur gjoks para profesorit të vet, përnjëherë zuri ta bindë Demushin se ai mundej edhe pa bukë, edhe pa ujë, po assesi jo pa letërsi. Mua as më njihte dhe as ma varte fare. Atëherë mora spunto, siç do të thoshit ju, nga “letërsia” e tij dhe ia luajta lojën, e bëra për pesë para. E pyeta: “A njeh Esad Mekulin, Hivzi Sulejmanin, Tajar Hatipin, Enver Gjergjekun, Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Rexhep Hoxhën?” Ai “i njihte”, posi, që të gjithë. Me një mijë droe nga shtati i tij horongop, po sidomos nga revolja që mbante në brez, e pyeta: “Po mirë, more shok, ti që e dashke letërsinë kaq shumë dhe që i njohke të gjithë shkrimtarët, a e njeh Ramiz Kelmendin?” – “Po kush s’e njeh Ramiz Kelmendin! Mua s’më ndan nga ai as dita, as nata. Ramiz Kelmendi është poeti ynë më i madh dhe më i mirë shqiptar”, – ma ktheu pa më parë me sy fare, edhe pse unë kurrë nuk kisha shkruar as edhe një vjershë të vetme. “Lum si ju!” – ia ktheva. “Po unë kam dëgjuar se Ramiz Kelmendi është shumë njeri i poshtër!” Ai përnjëherë u ngrit më këmbë me tërë atë shtat, m’i çatalloi sytë, u egërsua dhe, pasi ledhatoi revolen, m’u drejtua: “Kush je, more ti, hajvan, që guxon me ma sha Ramiz Kelmendin?! A din, bre, qi t’vras n’ven?!” Dhe m’u vërsul. Sakaq ndërhyri Demushi duke i thënë: “Ndalu, o burrë. Ulu! Qetësohu! Po ky vetë është Ramiz Kelmendi!” Ai u shtang. M’i nguli sytë me tërbim, fërkoi edhe një herë revolen dhe më pyeti: “Kush je tiii?!” Me të dridhura, si në ethe, me gjysmë zëri iu gjegja: “Jam Ramiz Kelmendi!” Mendova fluturimthi: “O Zot, më shpëto!” E ai, pa një, pa dy, briti: “Po ti, more Ramiz Kelmendi, për i më koke i poshtër!” – tha dhe doli nga “kabina”.
“Metropol” – Opusi i krijimtarisë suaj letrare është mjaft i pasur me elemente satire që na mungojnë sot. Ç’po ndodh me këtë popull, profesor? A do të thotë se e ka humbur edhe sensin e humorit për shkak të rrethanave ekonomike etj.?
R. Kelmendi – Se si detyrohem të pajtohem me sa më sipër. Në një kohë kur papunësia, varfëria e sidomos korrupsioni janë kaq me “humor”, s’ka sesi të kemi humor. Kemi dhe jemi për gaz (t’dheut), duam dhe jemi për të (na) qeshur. Po ama… E sa për satirë, Zot, kam kaq vjet që më mungon një Nonda Bulka kosovar!
“Metropol” – Profesor, nëse s’kemi shumë rezultate inkurajuese gjetkë, letërsia, mendoj, asnjëherë s’ka pasur më shumë sasi. A pajtoheni me këtë konstatim?
R. Kelmendi – Jo gjithmonë sasia nënkupton cilësinë.
“Metropol” – Medie, të paktën, kemi edhe për eksport. Si një nga figurat poliedrike që lidhet me kulturën dhe gazetarinë, si e vlerësoni nivelin profesional të medieve tona, e sidomos kulturën e gjuhës?
R. Kelmendi – Mediet dhe kultura e gjuhës? Tragjike! Katastrofike! E lemerishme! Unë edhe këtë patologji gjuhësore të medieve tona, edhe të shkruara, por sidomos elektronike, “e shpjegoj”, po ama assesi nuk e arsyetoj, pos si pjellë kopile e normës, që është barikaduar dhe tabuizuar tash 37 vjet, duke mos ndryshuar as edhe një presje! Edhe me mediet nuk jemi për lavd. Profesionalisht (mjerisht). Kurrë s’kemi pasur më shumë libra e më shumë gazeta dhe kurrë më pak lexues! A nuk flet edhe kjo mjaft?
“Metropol” – Inatçinjtë ju kanë pasur gjithnjë zili, kurse dashamirët lakmi për artikulimin tuaj gjuhësor. Do t’i mbeteshit borxhli opinionit, nëse s’do të flisni për standardin gjuhësor dhe zërat gjithnjë e më të theksuar se standardit i ka kaluar koha dhe se është “një rrobë e vjetër në shtatin e rritur”. A ka të drejtë kjo orkestër zërash me në krye Migjenin, djalin tuaj?
R. Kelmendi – Pa zënë ngoje tim bir, e kam thënë dhe vijoj ta them se jemi të vonuar jo më pak se plot 37 (edhe me shkronja: tridhjete e shtatë) vjet për të mbajtur Kongresin II të Drejtshkrimit (që na duhet si buka), në të cilin do të korrigjoheshin mangësitë e derisotme të dëshmuara. Po para së gjithash “autonomia” e gegërishtes (përkrah toskërishtes).
Intervistoi: Xhemail Veseli
P.S: Intervista është botuar më 17/05/2009 në Gazeta “Metropol”, paraprakisht në “Zëri” e më pas është botuar gjithandej në rrjete sociale dhe media te shkruara.
Linku i botimit ne “Metropol”:
file:///C:/Users/LENOVO/Downloads/INTERVISTA%20me%20Ramiz%20Kelmendin.htm