Nuk u ftua në takim informal! – reagon kryeministri Rama…
Pasi nuk u ftua në takimin informal në Athinë për Ballkanin Perëndimor, ka reaguar Kryeministri Edi Rama duke mbajtur qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Kreu i qeverisë shqiptare sqaron se nuk dëshironte të bënte asnjë reagim deri sa ky takim informal 2-ditor në kryeqytetin grek të përfundonte.
Kryeministri nuk e shpreh zhgënjimin kur thotë se në takimin informal në Athinë në vend të tij, siç ishte parashikuar, u ftua Presidenti Bajram Begaj e jo ai. E në këtë pikë, Rama sjell në vëmendje Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor, ku Kryeministri grek Mitsotakis është i ftuar si përfaqësues i Greqisë, dhe jo Presidentja.
Por Rama thekson gjithashtu se nuk i erdhi mirë që darka informale me liderët e Ballkanit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së të përdorej për t’i dhënë një mesazh Shqipërisë.
Megjithatë Kryeministri shqiptar shprehet se mes dy vendeve ka më shumë çështje dhe gjëra që i bashkojnë, se sa i ndajnë.
Në takimin informal në Greqi, Shqipëria nuk u përfaqësua pasi edhe Presidenti Begaj e refuzoi ftesën për shkak se kishte axhendë të paracaktuar. Në Greqi, mosftesa e Ramës është komentuar si “ndëshkim” për qëndrimin që po mban Athina zyrtare për çështjen Beleri.
Një ditë më parë, ministri grek i Punës kërcënoi Shqipërinë se Greqia do të bllokojë fondet europiane dhe do të pengojë rrugën e vendit tonë drejt BE-së.
REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
Kjo është përgjigja ime për të gjithë ata në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, të cilët komentuan në mënyrë të ndryshme apo u pështjelluan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën një përgjigje para takimit. Arsyeja është e thjeshtë: Nuk doja ta shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë, të mbledhur në Athinë, të përfundonin punën e tyre.
Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të mikpritur liderë shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen europiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se besoj sinqerisht se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i bëjë konfuzë të ftuarit e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.
Tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh.
Unë e kuptoj presionin nga palë të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për ta bërë qimen tra. Por, të gjithë kemi përpara sfida shumë më të mëdha, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.