Kurti bisedon me Cholletin para takimit të Ohrit: Jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Ohri ku të shtunën do të ketë një ditë të gjatë me takime, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka bërë të ditur se me Cholletin ka biseduar për rëndësinë e këtij takimi për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik si dhe sigurinë.
Po ashtu, kreu i ekzekutivit gjatë kësaj telefonate ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të përfundojë me sukses.
“Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, ka shkruar Kurti.
Kosova dhe Serbia e kanë pranuar propozimin evropian më 27 shkurt dhe të shtunën, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Propozimi evropian shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.