Binjakët – Tregim, Çmimi i tretë, “Pena e Flakës 2023”
Autor: Xheladin Rexhepi
Ishte pranverë e hershme. Urëza e parmendës me umin e mprehtë çante përgjysmë lëvorën jeshile të lëndinës, sikur hiqte dhemshëm lëkuren e njeriut prej brinjëve të krahërorit. Tiri, tërhiqte për kapistalli qetë e zgjedhës lara-lara. Miri, me dorën e djathë shtrëngonte dorezën e parmendës, në të majtën mbante thuprën e njomë të shelgut. Herë-herë i uronte qetë: “Zotynë bekuoft”…!
Kafshët me qafën pisk për zgjedhën me zhegër thane mbërthyer, merrnin frymë rëndë, dihatnin nga zagushia. U rridhnin jargët prej gojës dhe copa shkume binin për toke. Banorët e Gashnjetit, fshati mes shpatesh, qenë mbyllur të parët, secila mahallë veç e veç, të trishtuar nga lajmi se po përhapej murtaja. I vetmi njeri që lëvizte sa në një vend, sa në tjetër vend qe ipeshkvi, imzot Pjetri, veshur me gunën bojë kafe dhe trastën e lëkurës së qengjit hedhur krahut. Formulat e Biblës mbështjellë me mushama i kishte fshehur në gji. Nuk i frikësohej së keqës. “Aasht munduom prej qiellet, me balluom…!”, jipte kurajo ipeshkvi. Ai, pati folur në kishë për një anije me vela që paskish ardhur nga India para një muaji, bri gjolit të Arbërisë. Ushtarët e Romës anijen e mbanin të ngujuar. Po thuhej se ishte e mbushur me minj të sëmurë. Ushtria s’linte askënd të dilte, as të hynte brenda saj. “Aa venuom sertee pre Senatet t’Rom’s”, ka treguar ipeshvi i Dardanisë, Pjetri.
Tiri dhe Miri qenë vëllezër bineq, të ngjashëm, sikur një mollë e ndarë për gjysmë. Hana dhe Zana, po ashtu, motra binjake, sikur dredhëza të pjekura. Hana shkonte tre hapa para Tirit dhe qeve të zënë në zgjedhë. Ajo ecte lehtas maje gishtrinjëve me hapa të matur. Nën shokën e lidhur shtrëngueshëm për trupi, pikërisht ku xhubleta me shkrola niste e ngushtohej, kishte futur bishtin e furkës. Tjerrte shllungat e bardhokës. Boshtin prej rakite me frruzë argjile, mbështjellte penjtë rrotull drurit. Zana me hapa pak të drojshëm ecte pas Mirit, Tirit e Hanës. Derisa parmenda praptonte dheun herë një anë e here tjetrën anë, mbajtur me siklet nga Miri, Zana tjerrin e Hanës e bënte lëmsh si një top bore. Bineqtë linin pas veti hullinë e lavrës si një bollë e zezë ndërmjet kodrave dhe luginës përpjetë….
Vëllezërit bineq, Tiri dhe Miri. Motrat binjake, Hana dhe Zana, me qetë lara-lara, po e lëvronin rreth e rrotull tokën e Gashnjetin. Kishin marrë për detyrë, që me tre hullij në qark ta mbronin katundin nga brejtësit e fushave, që thuhej se po e përhapnin Murtajën e Zezë, ashtu siç i pati urdhëruar ipeshkvi i Dardanisë, imzot Pjetri. Ata besonin se tre hullij me umi parmende janë të mjaftueshme, t’ia prinin udhën hatasë. Të shpëtohej Gashnjeti nga vezët e gjarpërit helmues. “kiin’ hiise me u baamun fli”, pati thënë, imzot Pjetri. Bineqtë, sapo arritën te lugu i L’kenit, i ndalën qetë për të pushuar. U dhanë ujë te kroi i Akullit, që gurgullonte mjedis ahishtes, kurse nën lisat qindvjeçarë, befas u trembën një tufë fëllënzash, duke rrahur frikshëm flatrat bojë hiri. I pari e prishi heshtjen Tiri:
-Thuon, po thuoshne, Myyrtja po u ecke me kumoon tuo liidh kjaaf’s, foli Tiri.
-Myyrtja po eerdhke pej Shkoodre naata burg!, tha Miri me zërin që i dridhej.
-Myrtja ki’ trupuu Shkupin, kiin çou fjaal’ plaakat te Niikajvet!?, treguan Hana dhe Zana.
– Aa po di kush ç’ashtë Myrtja?, Miri i bëri pyetje veti.
Degët e gjata të lisave i rrapllonte era. Bineqtë qile gurë gojën. Ata lavronin me parmendë shpatit përpjet, kah Bari i Kripës, te ajo maja e kodrës që e pati vrarë parvejt murmurima. Te qafa e Currit e kaluan natën e parë. Të nesëmën lavrës i ktheheshin s’dyti. Demonët si hije, lavrën e kishin trinuar me therra, drum e kishin bërë. Bineqtë sërish lavrës duhej ra me umi.
Dielli rrëshqiti m’atanë kodrës së madhe, ndërsa mbrëmja erdhi me një tis të hollë terri, dhe mezi dallohej shkëmbi lart ku verës pushojnë mjegullat. Fshatarët thepin guror e quanin “Maja e Shiut”. Bineqtë i vunë veshin një drithërime të natës së prilltë. Asgjëkundi s’dihej rrumb këmbane as prej Shkupi në lindje as nga Shkodra në perëndim. Kjo u dha një troh shpirt atyre pas lodhjes së tepërme. Zgjedhën e rëndë me dru arre ua hoqën qeve. I lidhën të mos z’gjidheshin për t’fillaku me nga i guri kripe përpara. Në lëndinën me fier të tharë vendosën ta prisnin agun tjetër. Lorëzat me krrokama trishtuese gjithë natën nuk i lanë të shtinë gjumë në sy. Mëngjesi erdhi paksa i vonuar dhe i ftohtë. Degët e malit ishin zbardhur me rrema krahnezi. Me uror, strall dhe eshkë, Miri e Tiri ndezën zjarrin. Drutë e lagura mezi morën flakë. Tymi i zi në formë spiraleje ngjitej qiellit thik përpjetë. Motrat i rreshkën mirë koret e bukës së lyerë me shëllirë, pranë prushit që fashitej ndër unat me hi…
Vëllezërit i zunë qetë për ditë të mbarë. Bigën e parmendës e lidhën me një guzhvë kurthnajash për zgjedhe dhe vazhduan lavrën përpjetë shpatit. Duheshin javë t’i silleshin rrotull tri herë Gashnjetit, t’i mbyllnin çdo shteg të mundshëm murtajës.Tashmë kishin arritur në lëndinën e Gjollëve, bri mahallës së Xanëve. Bineqtë i brente një dilemë shpirtërore, t’ia mshelnin udhët murtajës edhe për mahallën e mallkuar, apo t’i linin të dilnin fare. Pesha e mallkimit moti rëndonte mbi Xanët. Sikur u tingëllonte rreth veshëve fjalia e kryetarit të fisit: “tri shpii’ u baashi, e kaatra, met’ faare”!. Xani ishte djali i madh i Toshit, themeluesit të Gashnjetit , shekuj më parë. Xanin, djalin e madh me grua të parë e pati mallkuar Toshi, pasi një herë i kishte rënë atij sfurk shpinës, pse s’mund e shkilte sa duhet mullarin e sanës, t’mos e zinte shiu.
Të rënat e këmbanës së kishës ua tërhoqi kurreshtjen binqeqve, t’i kthejnë sytë matanë, kah fshati Nikaj. Gjama e burrave dhe vajtimet e grave sa vinin e shtoheshin, dhembje të padurueshme sillnin erërat e kësaj pranvere. Dikujt edhe lulebora i dukej ogurzezë. Trishtim, zymtësi, frikë, gjithkund në rrafshshin e Dardanisë. Plakën Fanë që jetonte te kapela e vogël afër varrezës së Gashnjetit, fshatarët e quanin “Nana Zi”. Asaj, për motmot i patën vdekur pesë fëmijë. E shkreta, mbeti fikall me gishta në gojë. Javën e fundit u përhapen fjala se plaka kishte dalë meçsh. Ajo paralajmëronte zezonën, prandaj e mbanin të lidhur për trupin e dardhës…
Fana gjithë natën e lume bërtiste me aq zë që kishte. Përvajshëm u lutej zotave nga frika për nënat Gashnjetit. Për fëmijë e vegjël, druante nga shitimi i Murtajës. I bëhej se e ka gjetur ilaçin që i vret krimbat e Murtajës. Krimbat, që thoshte se ua shponin njerëzve gropën e zemrës . “zjeeni thaanaa lee t’ii haamun’ thmiijaa”. Fanës, i ishte fiksuar se nuk ka tjetër ilaç që vret krimbin e murtajës së Zezë si kokrra e thanës. “Kryymat u haan’ zemrën pa e paamun’…” thoshte Fana. Ilaçet janë të fshehura nëpër male. Rrënjët e lisave janë streha e shpëtimit.”Baani fije- fije fletaat e Helmaatunit, përzjee’ me meleem shtuuogu, me lyymun gunget n’sjetlle, mas qaafet, mas veeshvet, me myyll varr’ dhe naalun zjeermiet ”, lemeriste plaka e lidhur në litar, edhe pse askush s’ia vinte veshin asaj të shkretës. Mort, mort, ngado mort… te Nikajt përtej kodre flitej se murtaja kishte vrarë t’madh e t’vogël. Fshati mbeti në tri shtëpi. Oxhaqet më s’nxjerrnin tym. Kufomat i gjuanin në gropa të thella një bojë njeriu, gratë deri nën sjetull I mbuloninme dhe. Trishtimi përzihej me pikat e ftohta të shiut të pandalshëm asaj nate të vonë. Dikur Fanës iu mek edhe zëri. Pati fjalë se ajo vdiq ashtu e vetmuar dhe kumti për te u mësua vetëm pas tre ditësh…
Këmbanat e kishave gjëmonin pa u ndalë. Vdekjet s’janë më lajm i pranverës. Në çdo fshat përtej Gashnjetit, tregonte për vrasjet e murtajës. Çka ndodhte përnjëmend nuk dinte kush, nuk e marrnin vesh as zogjtë e malit. Imzot Pjetri pati tri javë që s’ishte parë këndej pari. Dikush, thuhej, e kishte takuar në Has, tjetri thoshte s’ishte kthyer ende nga Roma. Në Blinisht, fshat pak më larg Gashnjetit,i patën hapur varret vet. Sikur ishin dorëzuar para zezonës. Përderisa mahalla e Matit të Poshtëm, të gjithë bashkë, çdo mëngjes, dilnin në lamën e Madhe dhe i luteshin zotit, pastaj ktheheshin e punonin arat e veta. “Me rrnuom kaa munduom per me ngraanum ”, thoshin ata. Kurse mahalla e Zmakajve, me teshë e koteshë, kishin ikur andej nga nuk i bihej në fije. Secili frikësohej nga secili. Burri prej gruas, nëna prej djalit, motra nga i vëllai. Njerëzia dukeshin si kufoma të gjalla, si hije që s’nihen mes veti.
Mesditë. Miri mbante dorezën e parmendës shpatit përpjetë, umin,maje urëze, sepse e pengonin gurët dhe rrënjët përziera me dheun e zi. Ishte java e tretë që silleshin me lavër rreth shtëpive me kupola fieri të Gashnjetit. Miri, Hanës dhe Zanës, ua kujtoi urtësitë e imzot Pjetrit nga mesha e së dielës së fundit të Frorit, se “mnia e dashnia kaa i heree duon ma vramun njana me tjetren” Motrat binjake u ndjenë të durueshme, sepse Gashnjeti duhej mbrojtur i tëri. Për Mirin, murtaja vret të gjithë njësoj. Mort për Xantë e mort për ne. Prandaj, Xantë assesi nuk duhet përjashtuar “ kjee ça kjee…”. Bineqtë, për të dytën here, po i bënin tri ditë lavër më tepër përpjetë mahallës së Xanëve, sepse padiktueshëm e patën shkelur sërish demonët. Mbrëmja i zuri me lavër mbi arat e Toshëve. Përpjetëze e madhe, u duhej të pushojnë, të merrnin paksa frymë nga lodhja. Te Gurra e Bardhë u dhanë ujë qeve, pinë edhe për vete nga pak. Nga suka e lartë, si në shuplakë të dorës, po shihesin katër mahalltë e Gashjetit. Tiri dhe Miri sikur i kursenin fjalët, ashtu të heshtura, u treguan edhe motrat binjake. Filloi një rrebesh shiu përzier me borë. Po bëhej java e katërtë që vazhdonin lavrën kundër murtajës. Bineqtë natën e kaluan nën një strehë guri, me drone nga mallkimi i Arbainit. Pavarësisht zhurmës së shiut ata fjetën menjëherë. Këmbanat e kishave rrotull nuk pushuan për asnjë cast të vetëm. Nata dukej tepër e gjatë për Gashnjetin. Ra mjegull dhe nuk shihej më asgjë. Çka po ndodhte Shkup e Shkodër. Murtajës kot i mbyllej dera me shul. Ajo hynte brenda dhe të zinte nga s’e prisje, oxhakut, dritarës, birës së gjilpëres.. Bineqtë e Gashnjetit, ashtu të përgjumur po dridheshin nga i ftohti nën strehën e rrasës së gurit dhe ankthi i ëndrrave të mëngjesit. “… katër jaav nuk kryom lavrën per Gashnjetet”, Tjetrit i shtirreshin kufoma të pavarrosura. Miri sikur një somnabul bërtiste “ ipeshkvi a deek, po e haan’ sorrat e Sinisë. A deeke Dardania kreejt…”. “Lavra a’ muushe me miij’ mo m’leeni veeeet”….
Në agim herët e para i hapi sytë Hana. Zgjoi nga gjumi vëllezërit dhe Zanën “duel diellet maajet thepi, sa një buk’ kollomoqe, a nuk a’ zoti vet…!?” Tiri ngriti dorën mbi vetull. Një nur i bukurisë sikur mbretëronte Dardaninë. Një grudë dheu e shtrëngonte në shuplakë Miri. “aardhi prandvera”. Këmbanat kishave, kishin pushuar, ashtu si gjama e burrave dhe kujet e plakave. Gashnjeti mbeti gjallë dhe i paprekur. Fort u përqafuan ndërmjet veti Tiri dhe Miri, Hana dhe Zana. I pari tërhiqte për kapistalli qetë e zgjedhës me parmendën e rrëzuar prapa, që rrëshqiste si zvaranik po shkonte kah shtëpia vet. Vëllai dhe motrat u ngjitën maleve t’i gjenin e thërrasin fshatarët të kthehen sa më parë në Gashnjet. Vetëm imzot Pjetri nuk u kthye ma. “E ki’ xaanun dekaa’ e Myrtjees udhveet dikuu…”!?
Shifra: “L’keni i Hasit”