Si e priti Kosova propozimin amerikan për targat
I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar gjatë javës së kaluar nga Qeveria e Kosovës, që vendimin e reciprocitetit për targat, ta shtyjë për 10 muaj.
Megjithatë, Escobar kishte deklaruar se nuk ka pranuar asnjë zotim nga kryeministri Albin Kurti por as nga presidentja Vjosa Osmani, njofton Klankosova.tv.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha të dielën se ka pasur afat të mjaftueshëm për konvertimin e targave.
“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat e i shfrytëzojnë ato të kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet, për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”
Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë ditë më parë se qeveria e ka për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë e vendimet qeveritare.
“Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat, duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, është shprehur Kryeziu për Klankosova.tv.
Ndërkkaq, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për mundësinë e shtyrjes së afatit për targat, ka thënë kjo çështje është në dorë të kryeministrit Albin Kurti.
“Diskutuam për këtë çështje (për targat) dhe është vendim i kryeministrit, kështu që s’do ta komentoj këtë”, ka thënë Lajçak.
Teksa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se partnerët perëndimorë janë të shqetësuar për mundësinë e një eskalimi të situatës në terren lidhur me afatin për konvertimin e targave të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës.
Lideri serb, që këto deklarata i bëri kur vizitoi punimet në ndërtimin e stadiumit të qytetit në Leskovc, iu tha gazetarëve që nuk ka as edhe një milimetër progres për çështjen e targave.
Aleksandër Vuçiq gjatë javë së kaluar ka takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it [SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania], si dhe shefin e Delegacionit të BE-së në Serbi.
Radiotelevizioni publik i Serbisë ka raportuar se ambasadorët e QUINT-it i kanë dorëzuar Vuçiqit një dokument të përbashkët në të cilin shprehin shqetësimin e tyre për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, në prag të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë.
Vuçiq ka deklaruar se ndan shqetësimin për tensione të mundshme, duke shtuar se “Serbia është e përkushtuar për dialogun si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në të mirë të serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë e Metohi, pa i rrezikuar interesat e tyre shtetërore dhe kombëtare”.
Derisa sot raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se do të ishte një gjë e mirë nëse do të shtyhej afati për konvertim të targave.
Ajo, në një konferencë për media, ka theksuar se i arsyeton edhe qëndrimet e institucioneve kosovare lidhur me këtë çështje, por sipas saj, do të duhet të mendohet për të mos u shkaktuar tensione.
“Për targat ka argumente të mira për ta shtyrë vendimin, e kuptoj edhe vlerësimin e Qeverisë së Kosovës se kjo do të shtyhet përgjithmonë dhe në një moment duhet të vendosim se duhet ta zbatojmë atë që kemi thënë 11 vjet më parë, pala serbe është në dijeni”, ka thënë Von Cramon.
“Askush nuk ka interesim për çfarëdo lloj provokimi apo agresioni në vend, edhe nëse i përmbahemi afatit të fundit, 31 tetorit. Duhet të futemi me hapa gradualisht në këtë fazë, duhet të mendojmë në mënyrë kreative si ta zbatojmë rregullin e ri çfarë paralajmërimesh bëni, çfarë gjobash u jepni atyre që nuk i ndryshojnë targat e di”.
“Lajçak dhe Escobar po kërkojnë një shtyrje dhe është një arsye e mirë mendoj se shtyrja do ta zbuste gjendjen. Por e kuptoj edhe Qeverinë e Kosovës që thonë në një moment duhet të vazhdojmë nëse ka një vend për vazhdim e shtyrjen diplomatike do të përkrahjes. Nëse qeveria e kupton se zbatimi nuk nënkupton konfiskime që nga dita e parë edhe kjo do të ishte diçka e mençur dhe do të parandalohet çfarëdo provokimi nga njëra apo pala tjetër”, ka thënë Von Cramon, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se afati për zbatimin e vendimeve për targa dhe dokumentet serbe ishte shtyrë më 31 korrik me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.