Presidentja Osmani “hedh në tavolinë” ndryshimin e madh: Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët
Presidentja në largim e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës ndryshime kushtetuese që parashohin zgjedhjen e Presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Propozimi është dorëzuar pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Dokumenti i është adresuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe deputetëve të legjislaturës së dhjetë.
Në arsyetimin e saj, Osmani thekson se zgjedhja e Presidentit nga qytetarët do të rrisë legjitimitetin demokratik dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Zgjedhja e Presidentit/es nga qytetarët përbën një shprehje të drejtpërdrejtë të sovranitetit dhe fuqizon legjitimitetin demokratik”, thuhet në letrën përcjellëse.
Paketa e amendamenteve parashikon katër ndryshime kryesore në Kushtetutë. Sipas propozimit, Kuvendi nuk do ta zgjedhë më Presidentin, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të mbahen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Nëse asnjë kandidat nuk merr mbi 50 për qind të votave në rrethin e parë, parashihet zhvillimi i një rrethi të dytë mes dy kandidatëve me më së shumti vota.
Ndryshimet gjithashtu parashohin që moszgjedhja e Presidentit të mos jetë më arsye për shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa mandati i Presidentit aktual do të vazhdojë deri në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit të ri.
Amendamentet e propozuara janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës, i formuar në vitin 2011.
